KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Mesi dhe i ati në gjykatë, akuzohen për evazion fiskal

Mesi dhe i ati në gjykatë, akuzohen për evazion fiskal

Futbollisti i Barcelones dhe kombëtares së Argjentinës Lionel Mesi u paraqiten në gjykatën spanjolle ku dëshmuan rreth veprës së evazionit fiskal për të cilën akuzohet. Mesi dhe i ati Horhe, i cili menaxhon financat e të birit, akuzohen se nga viti 2007 deri në vitin 2009, kanë mashtruar sistemin fiskal spanjoll, duke përfituar më shumë se katër milionë euro nga evazioni fiskal. Autoritetet spanjolle pretendojnë se Mesi dhe i ati kanë përdorur parajsat fiskale në Beliz dhe Uruguaj për të fshehur të ardhurat e tyre. Agjencia tatimore e Spanjës kërkon që të dy të dënohen me gjoba të rënda dhe me burg. Atë e bir i mohojnë akuzat. Si provë do të konsiderohen dokumentet që kanë lidhje me të ardhurat e shitjes së imazhit të Mesit, ku përfshihen kontratat me Banko Sabadel, Danone, Adidas, Pepsi-Cola, Procter and Gembëll, dhe Agjencia Ushqimore e Kuvajtit. Gjyqi ndaj futbollistit filloi tre ditë më parë, ku u përfaqësua nga avokatët.