KRYEFAQJA » LAJME » Mësues Zaim Thaçi 36 vite rrugë në këmbë drejt shkollës

Mësues Zaim Thaçi 36 vite rrugë në këmbë drejt shkollës

Ky është, Zaim Thaçi, mësues i ciklit të ulët në shkollën 9 vjeçare “Sinan Gjini” në Gjinaj të Hasit. Prej 36 vitesh rituali i mëngjesit fillon me rreth 1 orë e gjysëm në këmbë për të mbërritur tek nxënësit e tij. Një ditë pasi festuan ditën e tyre duhet të kthehet tek e përditshmja, por sot u shoqërua dhe nga një grup xhirimi i TVSH: “Bën një orë e gjysëm prej gjytetit e deri në shkollë. Të them të drejtën e veshtirë është shumë sidomos kur koha është me bore, ftohtë. 36 vite po bëj në arsim edhe gjithmonë në këmbë mirpo sot mosha bën të vetën e nuk përballohet, jam 56 vjet moshë”.

Shtigjet në pyll nuk kanë nevojë për sinjalistikë. Vetë mësuesit i kanë pagëzuar ata me djersën e derdhur. Njohin çdo kthesë, gropë dhe shkëmb. Çdo pemë , çdo lule dhe zogjtë. Shteti kusht për kompensimin e vështirësive ka kilometrat e aspak vështirësitë e terrenit, por fisnikëria e profesionit edhe në këtë rast del mbi formulat e thata ekonomike: “Unë i harroj ato lodhje vetem për tju dhënë ato dije fëmijëve dhe për të qënë i pranishëm pranë tyre dhe kjo më ka mbajtur e nuk më bën shumë përshtypje edhe pse jemi drejt pensionit” thotë mësues Zaimi.