KRYEFAQJA » LAJME » Meta: 2016 – Vit i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta vlerëson se objektivat e shumicës qeverisëse për vitin që tashë po mbyllet janë realizuar, ndonëse sipas tij ka vend për të reflektuar. Në një intervistë ekskluzive për TVSH, zoti Meta shprehet se në viti 2016 do të hidhen hapa të rëndësishëm për forcimin e shtetit ligjor. Ai veçon se reforma në drejtësi do të jetë një element shumë i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, për shumë aspekte të tilla, të cilat janë problematike dhe shqetësuese. Më poshtë intervista e plotë e zotit Meta dhënë gazetares së TVSH Melisa Shametit.

Meta: 2016 – Vit i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta vlerëson se objektivat e shumicës qeverisëse për vitin që tashë po mbyllet janë realizuar, ndonëse sipas tij ka vend për të reflektuar. Në një intervistë ekskluzive për TVSH, zoti Meta shprehet se në viti 2016 do të hidhen hapa të rëndësishëm për forcimin e shtetit ligjor. Ai veçon se reforma në drejtësi do të jetë një element shumë i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, për shumë aspekte të tilla, të cilat janë problematike dhe shqetësuese.
Më poshtë intervista e plotë e zotit Meta dhënë gazetares së TVSH Melisa Shametit.

Pyetje: Z. Meta! Viti 2015 ka qenë një vit intensiv i Parlamentit dhe i punës suaj. Në Parlament janë ndërmarrë dhe janë votuar një sërë ligjesh të rëndësishme, si ajo për reformën territoriale me të cilën shkuam edhe në zgjedhjet e pushtetit lokal. Ka nisur ndërkohë reforma në drejtësi dhe së fundmi u arrit kompromisi për dekriminalizimin. Si vlerësoni këtë punë?

Përgjigje: Jam i bindur se viti që po mbyllim ka qenë më i suksesshëm se ai i mëparshmi në drejtim të funksionimit të Parlamentit edhe për faktin e thjeshtë se opozita ka qenë mjaft aktive, edhe pse jo gjithmonë shumë konstruktive, dhe në këtë drejtim është bërë një punë e madhe. Janë bërë debate të rëndësishme, janë ndërmarrë nisma të rëndësishme. Dhe mbyllja me shumë sukses dhe me konsensus edhe e të ashtuquajturit dekriminalizim, padyshim që është një hap i madh përpara për të rritur integritetin e vetë Parlamentit si institucioni më i rëndësishëm në vend. Por njëkohësish edhe integritetin e të gjithë institucioneve të tjera, pasi absolutisht qytetarët tanë meritojnë një përfaqësim shumë më të denjë se sa deri më tani. Shpresojmë dhe besojmë që të vazhdohet me këtë frymë bashkëpunimi edhe me konkludimin e reformës në drejtësi, ku gjithashtu opozita ka marrë pjesë, ka qenë aktive. Tani ne kemi një bazë të përbashkët të punës për të ardhmen për finalizimin e ndryshimeve kushtetuese, dhe më pas për ecurinë dhe kompletimin e të gjithë reformës, që janë pikërisht rekomandimet e Komisionit të Venecias, që është komisioni më i lartë për çështjet e ligjit, të Kushtetutës dhe të demokracisë.

Pyetje: Duke mbetur te Komisioni i Venecias, si mendoni se po ecën ky si proces dhe si i komentoni deklaratat e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Ambasadores së Bashkimit Europian në lidhje me reformën në drejtësi?

Përgjigje: Lidhur me reformën në drejtësi unë mendoj se referimi më i saktë është ai i Komisionit të Venecias, i cili është institucioni më i rëndësishëm në kontinentin tonë për çështjet e ligjit, të Kushtetutës, të demokracisë, të drejtave të njeriut. Është një institucion, që na ka asistuar përgjatë gjithë tranzicionit dhe në mënyrë të veçantë edhe në hartimin e Kushtetutës sonë, por dhe vazhdimisht për shumë çështje të debatueshme.
Ka qenë gjithmonë një referencë përbashkuese për politikën shqiptare, pavarësisht se kush ka qenë mazhorancë apo se kush ka qenë opozitë. Për fat të mirë mbetet i tillë edhe pas këtyre rekomandimeve. Ky komision bëri të qartë se ka nevojë për një reformë radikale dhe ka dhënë vlerësimin e vet për një punë që është bërë. Njëkohësisht ka dhënë dhe rekomandimet e tij për çështje të caktuara që janë pranuar nga të gjithë dhe që duhet të reflektohen në mënyrën më objektive, më profesionale, më transparente dhe më gjithëpërfshirëse, në mënyrë që ne vërtet brenda pranverës të miratojmë këto ndryshime kushtetuese me konsensus në Kuvendin e Shqipërisë.

Pyetje: Pak javë më parë u miratua buxheti i shtetit si dhe paketa fiskale. Lëvizja Socialiste për Integrim, partia e drejtuar prej jush, pati propozimet e saj të cilat u morën parasysh. Si ju duket buxheti i ri dhe a do të arrihet ajo çka është folur që rritja ekonomike të jetë 3.4 për qind?

Përgjigje: Fakti që buxheti do të japë një kontribut të rëndësishëm për rritjen ekonomike e cila parashikohet të jetë 3.4 për qind, pra më e lartë se e këtij viti, është një hap pozitiv. Sigurisht do të donim një rritje shumë më të madhe, por të mos harrojmë trashëgimitë e vështira të ekonomisë sonë. Jo vetëm kaq, por fakti që ekonomia jonë është mjaft e ndikuar dhe për shkak të integritetit dhe të ndërvarësisë dhe nga ekonomitë e vendeve fqinje dhe të vendeve të tjera. Të mos harrojmë se shumica e eksporteve tona shkojnë drejt Italisë e cila është një vend me rritje për fat të keq, edhe pse pozitive, por ende mjaft të kufizuar. Kështu që të gjithë këta faktorë të përgjithshëm ndikojnë tek objektivat.
Por unë mendoj që përveç buxhetit, është shumë i rëndësishëm përmirësimi i klimës së biznesit. Është shumë i rëndësishëm nxitja dhe realizimi i shumë partneriteteve publike dhe private në sektorë të caktuar ku ndoshta investimet në buxhet nuk janë të mjaftueshme siç ne do të dëshironim, por që ka nevojë për këto investime, për një angazhim më të madh të sektorit privat në drejtim të përmirësimit të shërbimeve publike dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Këto mendoj se janë faktorë shumë të rëndësishëm, që mund të japin një kontribut vendimtar për një përmirësim akoma më të ndjeshëm të ekonomisë sonë kombëtare, por edhe asaj familjare dhe në veçanti edhe në drejtim të rritjes së punësimit.
Buxheti kishte debatet e tij dhe kjo është një gjë shumë pozitive. Nuk ka buxhet që mund të kalojë pa debate, pa propozime alternative, por në fund fare buxheti është një kompromis. Sepse edhe vetë ai është i ndërtuar në mënyrë të tillë, të ardhura dhe shpenzime, gjithmonë duhet një balancë. Dhe them që është bërë një zgjidhje e mirë që i shërben jo vetëm rritjes ekonomike për vitin që po vjen, por që i shërben rritjes së qëndrueshme ekonomike edhe në plan më afatmesëm dhe më afatgjatë. Dhe këtë e bazoj te konsolidimi fiskal që realizon ky buxhet, duke ulur borxhin për herë të parë pas kaq vitesh dhe njëkohësisht, duke ulur ndjeshëm deficitin dhe duke arritur për herë të parë të kemi një përmirësim të këtyre treguesve të rëndësishëm, që do të bëjnë të mundur që në të ardhmen të kemi më shumë shpenzime dhe investime në sektorët më të rëndësishëm socialë.

Pyetje: Duke mbetur te financat. Doja t’ju pyesja për transparencën e të ardhurave të partive politike, ju tashmë keni shpallur një platformë për transparencën e financimit të LSI-së, duke publikuar çdo gjë në faqen on-line. A mendoni se do të përkrahet edhe nga partitë e tjera kjo nismë e juaja z. Meta?

Përgjigje: Transparenca e financimit të partive ka qenë një shqetësim i opinionit publik, i mediave, i gazetarëve, i rekomandimeve të herëpashershme të OSBE-ODIHR-it dhe mendoj që është e domosdoshme që transparenca të jetë e plotë dhe në këtë drejtim. Pavarësisht se kjo do të kërkojë ndryshime në Kodin Zgjedhor apo në ligjin për financimin e partive e kështu me radhë dhe patjetër që ne do të bëjmë të gjitha propozimet tona në Komisionin për Reformën Zgjedhore, por ne si forcë politike kemi bërë publike një platformë dhe e kemi filluar këtë proces që mund ta ndiqni në faqen zyrtare të LSI-së dhe do ta thellojmë më tej.
Jo vetëm kaq, por shpresojmë të konkretizojmë një bashkëpunim të ngushtë me Institutin Demokratik Amerikan, me të cilin LSI-ja ka marrëdhënie shumë të mira dhe kemi realizuar shumë programe të rëndësishëm si për rininë, për kualifikimin e të rinjve, për pjesëmarrjen dhe fuqizimin e gruas. Dhe në këtë drejtim ata kanë mjaft eksperienca pozitive në shumë vende të botës. Shpresojmë që të arrijmë një bashkëpunim shumë të dobishëm, shumë të frytshëm për të dhënë shembullin e një force politike ekstremisht transparente.

Pyetje: Si po e mbyll mazhoranca këtë viti politik dhe atë të premtimeve? Ju jeni aleati kryesor në koalicionin qeverisës…?

Mendoj që objektivat në tërësi janë realizuar, por gjithmonë ka vend për të reflektuar. Ka vend për të parë se çfarë mund të ishte bërë më mirë, se çfarë duhet bërë më shpejt. Dhe në këtë kuptim unë besoj se mazhoranca do të dijë të adresojë akoma më mirë shumë shqetësime të qytetarëve tanë dhe ajo që është më e rëndësishmja, gjithmonë problemet e ekonomisë mendoj unë që janë prioritet.
Padyshim, reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme, por më fund të fundit duhet të kuptojmë që reforma në drejtësi duhet të jetë një instrument shumë i rëndësishëm për forcimin e shtetit ligjor. Do të jetë një element shumë i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, për shumë aspekte të tilla, të cilat janë problematike dhe shqetësuese. Por në fund të fundit, edhe reforma në drejtësi duhet t’i shërbejë zhvillimin ekonomik të vendit, një klime sa më të sigurt dhe sa më të qëndrueshme të biznesit në vend në mënyrë që të shtohen investimet e huaja, të shtohen investimet vendase, të shtohet dhe të forcohet siguria juridike e investitorëve e të gjithë operatorëve dhe aktorëve të ekonomisë sonë në mënyrë që ekonomia jonë të rritet më shumë, shumë më tepër se 3.4% që është këtë vit, i cili padyshim është më pozitiv se sa viti që po mbyllim.

Pyetje: Mesazhi juaj në këtë fundvit, qoftë edhe për politikën në përgjithësi apo për qytetarët, të cilët edhe ju kanë votuar dhe ju kanë mbështetur…?

Përgjigje: Unë u uroj gjithë qytetarëve, sepse viti i ri dhe fesat janë një mundësi e mirë për t’u bashkuar, për të uruar njëri-tjetrin, që viti 2016 të jetë një vit më i mbarë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe për të gjithë familjet e tyre. Por padyshim për të gjithë familjen tonë të madhe dhe akoma më shumë për të gjithë kombin tonë, sepse edhe Kosovën e presin sfida të rëndësishme, por edhe Maqedonia ka ngjarje të rëndësishme përpara. Dhe patjetër që ne dëshirojmë që shqiptarët kudo ku janë të kenë më shumë gëzim dhe sukses në vitin 2016.