KRYEFAQJA » LAJME » Meta: Angazhimi kryesor i LSI hapja e negociatave të Shqipërisë me BE

Meta: Angazhimi kryesor i LSI hapja e negociatave të Shqipërisë me BE

Kreu i parlamentit Ilir Meta, njëherësh kreu i LSI, partia e dytë më e madhe e koalicionit qeveritar në Shqipëri, ka shprehur angazhimin e forcës së tij politike për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Deklaratën e tij zoti Meta e bëri gjatë një interviste me gazetaren e TVSH Denada Shkodrani, ndërsa sezoni i ri parlamentar dhe  i politikës shqiptare, sapo ka filluar. Zoti Meta ka vlerësuar bashkëpunimin me PS, ndërsa tha se priten rezultate edhe më konkrete.

Zoti Meta! Ju jeni konsideruar si njeriu kyç i negociatave me opozitën në lidhje me reformën në drejtësi. A do të vijojnë këto negociata?

Padyshim, ne jemi në një moment të rëndësishëm të vazhdimit të reformës në drejtësi pas miratimit me konsensus të paketës kushtetuese. Pas miratimit të ligjit për vettingun jemi në proces për të diskutuar edhe disa projektligje të tjera mjaft të rëndësishme. Shpresoj që opozita do të vijojë të japë kontributin e saj dhe do të punojmë që të mos tërhiqemi nga përpjekjet për të arritur konsensusin në gjithë këtë proces, por në çdo rast për të patur një klimë sa më konstruktive dhe bashkëpunuese pasi kjo ndihmon që të ndërtohet një drejtësi e pavarur dhe e besueshme nga të gjithë.

Z. Meta pak ditë më parë një ministër i Lëvizjes Socialiste për Integrim dha dorëheqjen. Mendoni që dorëheqja e tij ka lidhje me ndryshime të tjera në qeveri?

Kjo nuk është një pyetje për mua, sidomos pjesa e dytë, por përsa i takon pjesës së parë, unë besoj se ka qenë një dorëheqje e vetëdijshme në kuadër edhe të sfidave që ka jo vetëm qeveria, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim si forcë e rëndësishme e koalicionit qeverisës, e cila është në prag të Kongresit të saj Zgjedhor dhe në një moment të rëndësishëm të riorganizimit të saj, por edhe të rishikimit të disa dokumenteve themelorë, në mënyrë të veçantë të programit politik, por edhe të programit të ardhshëm elektoral. Dhe në këtë kuadër, edhe angazhimet e reja të z. Haxhinasto dhe përvojat e tij në qeverinë e fundit, por dhe të mëparshme, do të na ndihmojnë, do të kontribuojnë për të rishikuar dhe për të parë më mirë shumë elementë të rëndësishëm të programit tonë, por edhe të funksionimit të koalicionit. Ndërkohë që mendoj se edhe ndryshimet në këtë fushë kanë nevojë për energji të reja.

Z. Meta, a keni biseduar me kryeministrin Rama në lidhje me ndryshime të tjera, riformatimin e qeverisë? A është i nevojshëm tani, pikërisht kur qeveria dhe koalicioni është në vitin e tretë?

Ne jemi konsultuar për këtë çështje paraprakisht, përpara se z. Haxhinasto të paraqiste dorëheqjen e tij. Ndërsa për çështje të tjera i takon kryeministrit.

Janë përfolur në media emra të ministrave të tjerë të cilët mund të lëvizin në ditët në vijim. Ju e shikoni këtë si një mundësi për të rigjallëruar ose përmirësuar edhe koalicionin me këtë rast?

E theksoj edhe njëherë tjetër që kjo është një përgjegjësi që në radhë të parë i takon kryeministrit, por më e rëndësishmja është që gjithë drejtuesit e qeverisë, të institucioneve, çdo ditë të jenë gjithnjë e më me kërkesa për rezultatet që ata duhet të sjellin në drejtimin e tyre. Pasi kuptohet që jemi në një moment të rëndësishëm të zbatimit të disa reformave që janë miratuar, por edhe të vazhdimësisë së shumë të tjerave.

Si e shikoni ju bashkëpunimin tre vjeçar me Partinë Socialiste në qeverisje veçanërisht?

Po unë mendoj se në përgjithësi ky është një bashkëpunim që ka funksionuar, janë miratuar disa nga reformat më të rëndësishme. Sigurisht që priten rezultate edhe më konkrete. Ky është preokupimi ynë kryesor, besoj se është i të gjithëve .

Pak ditë më parë kryeministri Rama në një komunikim me mediat njoftoi se shumë shpejt do të ketë një bisedë të gjatë me ju për të diskutuar tre vitet e qeverisjes, por edhe për të vijuar koalicionin për një tjetër mandat. Ju e keni të qartësuar qëndrimin që do të ketë Levizja Socialiste për Integrim për një mandat të dytë me PS apo ka hapësira për bashkëpunim me partitë e tjera?

Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike që i qëndron marrëveshjeve. Aktualisht jemi në zbatim të marrëveshjes së njohur si Marrëveshja e Shkodrës, e nënshkruar në qytetin e Shkodrës midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Besoj se në përgjithësi LSI i ka qëndruar gjithë parimeve dhe synimeve të kësaj marrëveshjeve dhe do të vijojë t’i qëndrojë atyre në mënyrën më luajale.

Do të ketë surpriza z. Meta?

Mendoj se është e rëndësishme për të gjithë ne që të mos lejojmë të ndodhë asnjë surprizë tjetër përveçse hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ky është angazhimi ynë kryesor dhe i imi kryesor në javët dhe në muajt që vijnë. Shpresoj në një rekomandim pozitiv të Komisionit Europian dhe pse jo në një vendim pozitiv më pas të vendeve anëtare në dhjetor.