KRYEFAQJA » LAJME » Meta – Boldrini: Marrëdhëniet mes dy vendeve të shkëlqyera

Meta – Boldrini: Marrëdhëniet mes dy vendeve të shkëlqyera

Shqipëria dhe Italia i vlerësojnë marrëdhëniet mes tyre si të shkëlqyera. Në thelb ky ka qenë vlerësimi i kreut të parlamentit Ilir Meta dhe homologes së tij italiane Laura Boldrini, e cila po viziton Tiranën. “Kjo vizitë rikonfimron marrëdhëniet e shkëlqyera të dy vendeve” tha zoti Meta pas takimit në konferencën e përbashkët për shtyp. Ai çmoi maksimalisht ndihmën që Italia i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat. “I shpreh mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer që italia i jep Shqipërisë, lidhur me procesin e avancimit të integrimit. Italia mbetet avokatja më aktive në këtë drejtim dhe ne mbështetemi shumë tek parlamenti italian. Itali ka mbështetur jo vetëm Shqipërinë por të gjitha vendet e rajonit” tha zoti Meta. Ai e ka njohur homologen italiane me realizimet në përmbushje të rekomandimeve të KE, sidomos me miratimin e ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi. “Kemi rënë dakord që dy parlamentet tona të intesifikojnë bashkëpunimin e tyre që ne të përfitojmë nga ekspertiza italiane, për rritjen e kapaciteteve. Kemi vlerësuar bashkëpunimin tonë dhe kemi nënvizuar rëndësinë për të thelluar më tej luftën ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar. Shpreh rolin e Italisë për të përballuar krizën migratore” tha zoti Meta.
Zonja Boldrini e konsideroi si një nder vizitën e saj në Shqipëri, vizitë që është një rikhtim i saj pas 20 vjetësh. “Ndihem e emocionuar sepse rikthehem në Shqipëri pas rreth 20 vitesh, një Shqipëri të ndryshuar, kjo tregon rrugëtimin e rëndësishëm që ka bërë Shqipëria” tha zonja Boldrini duke shtuar se “Italia e ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Konsideroj të vlefshme reformën kushtetues, kjo edhe në vijim të reformës në drejtësi”. Kryetarja e parlamentit italian është ndalur në marrëdhëniet mes dy popujve. “Fluksi i shtetasve shqiptarë që kanë emigruar në Itali këto vitet e fundit, ka bërë të mundur që në Itali të jetojë një komunitet i madh Shqipëtarës, të integruar dhe që krijon mirëqenie për vendin tim. Ka qenë një rrugëtim i gjatë ai i shqiptarëve në Itali, por ata arritën të integrohen. Kjo përbën një rëndësi të madhe për komunitetin shqiptar, sepse ata nëpërmjet sipëmarrjeve jo vetëm ka punësuar veten, por ka ofruar punë edhe për italianët” tha ajo. ” Ne kemi aprovuar një ligj përsa i përket shtetësisë. Unë pashë edhe kufizimet, por gjithësesi bën një hap të mëtejshëm. Ky ligj ndodhet në senat për miratim dhe miratimi i ligjit është në interes të vendit. Ky është një ligj i rëndësishëm për vendin sepse kjo edhe përsa i përket edhe integrimit dhe mendoj se kush lind në Itali, jep kontribut në Itali të gëzojë të drejtën e shtetësisë. Sepse duke gjithë përfshirë dhe jo duke përjashtuar krijojmë një shoqëri edhe më të sigurt. Edhe pensionet bëjnë pjesë në këtë paketë ligjore. Të rinjtë që studiojnë dhe marrin kulturën italiane duhet të gëzojnë edhe pensione, gjithashtu është edhe një koncept i shoqërisë, gjithëpërfshirje pra të vësh përkrah të rinjeve dhe të moshuarit të cilët kanë dhënë kontributin e tyre” tha më shumë hollësi zonja Boldrini.
Një nga momentet e bisedës ka qenë lufta e përbashkët kundër trafiqeve të jashtëligjshme: “Unë besoj se është në interes të dy vendeve tona për të luftuar trafikun e narkotikëve, sikurse duhet të luftojmë me forcë trafikun e qenieve njerëzore, të admistrojmë edhe flukset migratore dhe duhet të bëjmë dallimin mes viktimave dhe atyre që janë elementë kriminale” tha zonja Boldrini.