KRYEFAQJA » LAJME » Meta-Lammert: Vendosmëri për zbatimin e reformës në drejtësi
Meta-Lammert: Vendosmëri për zbatimin e reformës në drejtësi

Meta-Lammert: Vendosmëri për zbatimin e reformës në drejtësi

Kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta u prit në Berlin nga Presidenti i Bundestagut Gjerman, Prof. Dr. Norbert Lammert. Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Meta dhe Presidenti i Bundestagut Gjerman, z. Lammert vlerësuan marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke evidentuar në veçanti nivelin e lartë të shkëmbimeve parlamentare gjatë viteve të fundit.

Kryetari i Kuvendit Meta e informoi Presidentin Lammert mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri duke veçuar miratimin me konsensus të paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për mbështetjen gjermane.

Z. Meta theksoi se pavarësisht lajmeve pozitive, “ne jemi të vendosur të avancojmë me zbatimin e reformës në drejtësi dhe me përmbushjen e të gjithë rekomandimeve të Komisionit në progres-raportin e fundit, dhe në këtë drejtim mbështetemi te Gjermania dhe te Bundestagu”.

Presidenti i Bundestagut, Lammert shprehu vlerësimin për progresin e arritur dhe vuri në dukje se çdo vend që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian duhet të kalojë përmes fazave të vështira të rritjes së standardeve të qeverisjes sipas standardeve të BE.

Z. Lammert nënvizoi se Shqipëria i përket atyre vendeve me perspektivë të qartë në BE dhe në këtë kuadër “Shqipëria duhet të vazhdojë me implementimin e reformave të nisura sipas standardeve evropiane dhe në këtë drejtim mund të mbështeteni te përkrahja e Gjermanisë, ashtu si edhe në të kaluarën”.

Kryetari Meta dhe Presidenti Lammert biseduan gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe ndanë bindjen se në kontekstin e momenteve të sfidave aktuale në BE, Procesi i Berlinit është kyç për të motivuar dhe për të ruajtur perspektivën integruese të Ballkanit në BE, si tepër të rëndësishme për sigurinë mbarë evropiane.