KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Meta: Media të ndryshme dezinformojnë për turizmin në Shqipëri
Meta: Media të ndryshme dezinformojnë për turizmin në Shqipëri

Meta: Media të ndryshme dezinformojnë për turizmin në Shqipëri

Ndërsa sezoni turistik veror sapo ka nisur, kreu i parlamentit shqiptar Ilir Meta ka shprehur shqetësimin se disa media po dizinformojnë lidhur me turizmin në Shqipëri, sipas tij për interes të disa kompanive, të cilat fokus të biznesit të tyre kanë promovimin e turizmit jashtë Shqipërisë. “Shohim që ka media në Shqipëri që për shkak të interesave të kompanive të caktuara të cilat kanë interes për të promovuar turizmin e Shqiptarëve jashtë Shqipërisë, përhapin lajme disinformuese dhe keqinformuese për standardet e turizmit në Shqipëri, problemet e cilësisë së detit ujit të pijshëm me qëllim për të frikësuar turistët shqiptarë apo të tjerë për të mos bërë pushimet në Shqipëri, por në vende të tjerë me qëllim që të përfitojnë këto agjenci” tha zoti Meta në mbledhjen e Asamblesë së Agjensive të Lajmeve të Vendeve të Mesdheut, që po mban punimet në Tiranë. Sipas zotit Meta “mediat duhet të pasqyrojnë realitetin ndërsa në rajonin e Mesdheut duhet të dominojë fryma e bashkëpunimit”. Në punimet e Asamblesë, drejtues dhe përfaqësues të agjencive të lajmeve, zyrtare dhe publike nga 22 vende, do të diskutojnë për ndjeshmëritë dhe rolin që duhet të luajnë këto institucione të rëndësishme mediatike për promovimin e turizmit në këtë rajon dhe sfidat në periudhën aktuale.