KRYEFAQJA » LAJME » Meta mesazh ngushëllimi për akademikun Arben Puto
Meta mesazh për akademikun Arben Puto

Meta mesazh ngushëllimi për akademikun Arben Puto

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u dërgoi të shtunën mesazh ngushëllimi familjarëve të akademikut dhe historianit të njohur, Arben Puto, pasi u mësua lajmi për ndarjen e tij nga jeta.

Profesor Puto, thuhet në mesazhin e Zotit Meta, ishte nga ata njerëz të rrallë, që jeta ju dha një mundësi të veçantë; jetoi në tre sisteme të ndryshme qeverisjeje, luftoi ndaj dy pushtimeve të huaja duke marrë kështu përvojën jetësore të jashtëzakonshme të qytetarit të angazhuar.

Partizan në Luftën e Dytë Botërore, pedagog i jurisprudencës e studiues mbas çlirimit të vendit dhe veprimtar i shquar për të drejtat e njeriut në demokraci, Profesor Puto ishte dhe do të jetë një pikë e rëndësishme e kujtesës sonë; gjirokastriti tipik ishte qytetari i veçantë i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Librat e tij janë trashëgimia më e mirë që Profesor Puto le pas për secilin nga ne.

E dashur Leonora, të dashur Robert dhe Artan, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta! Të gjithë ne kemi humbur një njeri të mirë, perfundon mesazhi i Kryetarit te Parlamentit Ilir Meta.