KRYEFAQJA » LAJME » Meta: NATO të veprojë si një trupë e vetme në përballimin e sfidave të sigurisë globale
Meta: NATO të veprojë si një trupë e vetme në përballimin e sfidave të sigurisë globale

Meta: NATO të veprojë si një trupë e vetme në përballimin e sfidave të sigurisë globale

Kryetari i palamentit shqiptar Ilir Meta ka bërë thirrje që NATO të veprojë si një trupë e vetme në përballimin e sfidave të sigurisë globale. Në fjalën e tij para Asamblesë Parlamentare të Aleancës në Tiranë zoti Meta tha se “Shqipëria mbetet e angazhuar për të gjitha operacionet ndërkombëtare të Aleancës dhe se ajo do të inkurajojë zgjerimin dhe partneritetin me vendet që duan ta zhvillojnë këtë bashkëpunim, theksoi kryeparlamentari”. “Ne jemi të bindur se orientimi euroatlantik i rajonit tonë është i domosdoshëm për sigurinë tonë, por është i domosdoshëm edhe për pjesën tjetër të botës perëndimore. Ndaj është e rëndësishme që edhe BE, edhe NATO të përfshihen në Ballkanin Perëndimor, dhe të mos lënë asnjë korridor të izoluar, të përjashtuar apo të pasiguruar. Në këtë drejtim ne mirëpresim fort vendimin për të ftuar Malin e Zi në procesin e aderimit në NATO” tha zoti Meta.
Kreu i parlamentit shqiptar tha se Asambleja Parlamentare e NATO-s duhet t’i bëjë shtetet anëtare të angazhohen me burimet e nevojshme si dhe të marrin vendimet e nevojshme. Zoti Meta u ndal veçanërisht tek kriza migratore në rajon. “Në Mesdhe ne kemi parë gjakderdhje. Me qindra, mijëra njerëz kanë humbur jetën, mes tyre fëmijë të pafajshëm, duke eksportuar në këtë mënyrë edhe pasiguri në Evropë. Ne jemi në një krizë refugjatësh, e cila në muajt e fundit na ka bërë të shikojmë disa ngjarje të vështira dhe të dhimbshme që kanë ndodhur edhe në Evropë, dhe që kanë vënë nën trysni pikërisht vlerat tona të solidaritetit, që do të thotë se ne vërtet kemi përmirësim si komb dhe qeveri për të mbrojtur kufijtë tanë, por kemi edhe detyrimin si botë e civilizuar që t’u japim ndihmesë dhe strehë këtyre personave të larguar nga vendet ku duan t’i eleminojnë” tha zoti Meta.
Kreu i parlamentit tha se Shqipëria nuk është e ndikuar drejtpërdrejtë nga ky fluks refugjatësh, por është e gatshme të ndihmojë me kapacitetet e saj modeste. “Ne nuk do të ndërtojmë mure, as nuk kemi qëllim ta bëjmë këtë gjë, por Shqipëria mbetet e vendosur për të dhënë kontributin e vet në sigurimin global” tha kreu i parlamentit shqiptar.