KRYEFAQJA » LAJME » Meta në Athinë: Greqia edhe Shqipëria të përqëndrohen tek e ardhmja e përbashkët
Meta në Athinë: Greqia edhe Shqipëria të përqëndrohen tek e ardhmja e përbashkët

Meta në Athinë: Greqia edhe Shqipëria të përqëndrohen tek e ardhmja e përbashkët

Kreu i parlamentit shqiptar Ilir Meta, në krye të një delegacioni parlamentar gjendet në Athinë i ftuar nga Presidenti i Parlamentit të Greqisë z. Nikolaos Voutsis. Vizita e zotit Meta zhvillohet në një moment disi të tensionuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, për shkak të sjelljes në vemendje nga BE e çështjes çame, përt ë cilën Athina zyrtare thotë se nuk egziston. Në takimin me kreun e diplomacisë greke Nikos Kotsias, zoti Meta është shprehur se interesat e përbashkëta e strategjike duhet të prevalojnë mbi çështjet e trashëguara të së shkuarës. “Unë besoj se është koha për të gjithë faktorët politik si në Greqi, si në Shqipëri, për t’u përqendruar më shumë tek e ardhmja e përbashkët dhe për t’i diskutuar në mënyrë të qetë, racionale, konstruktive të gjitha çështjet që trashëgojmë nga e kaluara, çështje për të cilat nuk jemi ne përgjegjës” tha ai . “Por ne jemi përgjegjës për të ardhmen e dy vendeve tona, dhe në këtë drejtim unë besoj në përgjegjshmërinë dhe vullnetin pozitiv të gjithë faktorëve për t’i parë me këtë këndvështrim edhe çështjet që trashëgojmë nga e kaluara” u tha zoti Meta mediave pas takimit.
Ai ka prekur dhe çështjen e ligjit të luftës që mbahet në fuqi nga pala grek dhe shprehu bindjen se abrogimi i tij do të krijonte hapësira për çlirimin e çështjeve të tjera të mbetura pezull. Ilir Meta siguroi Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Nikos Kotsias se Kuvendi i Shqipërisë mbështet avancimin e punës mes dy qeverive për të çuar në një stad tjetër bashkëpunimin tonë dhe se çështjet e trashëguara duhen zgjidhur me mirëkuptim.
I pyetur nga gazetarët për çështjen çame Meta tha se “…ekzistojnë ende dy qasje të ndryshme le të themi, por unë besoj se me durim dhe mënyrë konstruktive, ne kemi mundësi të ecim për gjithë problemet e së kaluarës drejt një zgjidhjeje ku përfitojnë të dy vendet tona dhe të dy popujt tanë” tha kreu i parlamentit shqiptar. “Por ajo që dua të nënvizoj edhe njëherë është se qëllimi i vizitës sonë është të nxisim akoma më tej frymën pozitive të bashkëpunimit midis dy vendeve tona në mënyrë që të mos humbasim aspak kohë për t’u përballur me sfidat me të cilat ndeshen të dy vendet tona, vendet e rajonit tonë, dhe që janë vendimtare për mirëqenien e qytetarëve tanë” shtoi ai. Zoti Meta këmbënguli se është shumë e rëndësishme që si Greqia edhe Shqipëria të përqëndrohen tek e ardhmja e përbashkët.