KRYEFAQJA » LAJME » Meta: Ne, Kuvendi i Reformës në Drejtësi; Basha: Ta shpërbëjmë Kuvendin e kapur peng nga krimi
Meta: Ne, Kuvendi i Reformës në Drejtësi; Basha: Ta shpërbëjmë Kuvendin e kapur peng nga krimi

Meta: Ne, Kuvendi i Reformës në Drejtësi; Basha: Ta shpërbëjmë Kuvendin e kapur peng nga krimi

Përkujtimi i 25-vjetorit të çeljes së parlamentit pluralist në Shqipëri pas afro 5 dekadash diktature komuniste, duket se ka qenë një tjetër rast që politika shqiptare të përplaset për legjislativin shqiptar. Kreu i parlamentit Ilir Meta tha gjatë një cermonie përkujtimore në Pallatin e Brigadave ku mungonin krerët e lartë të opozitës tha se “pavarësisht arritjeve të shumta, kemi shumë rrugë për të bërë, kemi rrugë për të përmiresuar vetëveten, politikëbërjen si dhe për të shëndoshur ekonominë tonë e për t’u dhënë qyetarëve tanë më shumë mirëqenje dhe siguri”.
Por sipas liderit të opozitës Lulzim Basha e “25 vjetori i Kuvendit e gjen tempullin e demokracisë në gjendje të mjerë”. “Ky Kuvend ka qenë në këto 3 vite pararojë e shkeljes dhe dhunimit të të drejtave të qytetarëve, dhunimit flagrant të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, agresionit fizik, verbal dhe institucional kundër opozites” shkruajti ndër të tjera në Fejsbuk zoti Basha. “Në këtë 25 vjetor thirrja ime është që ta shpërbëjmë Kuvendin e kapur peng nga krimi dhe t’ja rikthejmë parlamentin shqiptarëve duke mundësuar zgjedhjen me votë të lirë të qytetarëve më të denjë, me përfaqësues, me të respektuar dhe më me shumë reputacion në tempullin e përfaqesimit dhe vendimmarrjes sovrane” shprehet kreu i opozitës.
Por për kreun e parlamentit Ilir Meta Reforma në Drejtësi, është sfida më madhore që nga themelimi i pluralizimit. “Më lejoni të shpreh bindjen time se Kuvendi do të kalojë reformën në drejtësi dhe do mbahemi mend si Kuvendi i reformës në drejtësi” tha zoti Meta.
Sipas disa vëzhguesve të politikës këto deklarime flasin për një thellim të mosmarrëveshjeve mes maxhorancës dhe opozitës lidhur me miratimin e Reformës në Drejtësi, aq e kërkuar nga ndërkombëtarët. Ato pritet të thellohen më tej ndërsa vitin e ardhshëm vendo do të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato presidenciale.