KRYEFAQJA » LAJME » Meta në parlamentin e Malit të Zi: Bashkëjetesë më solide dhe demokratike për pakicën shqiptare
Meta në parlamentin e Malit të Zi: Bashkëjetesë më solide dhe demokratike për pakicën shqiptare

Meta në parlamentin e Malit të Zi: Bashkëjetesë më solide dhe demokratike për pakicën shqiptare

Kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta, ka përuruar sistemin e përkthimit në shqip në parlamentin e Malit të Zi, një moment i rëndësishëm i vizitës së tij në këtë vend. Duke e çmuar si një arritje të vërtetë demokratike , ai ka adresuar njëkohësisht mjaftë çështje lidhur me të drejtat e shqiptarëve.
Fjalimi i zotit Meta, fjalimi i parë në gjuhën shqipe në Parlamentin e Malit të Zi, ishte plot vlerësime maksimale për marrëdhëniet midis dy vendeve. “Ne i çmojmë si të shkëlqyera marrëdhëniet që ne kemi ndërtuar me fqinjin tonë Malin e Zi, të cilat janë model i fqinjësisë së mirë dhe të mbarëvajtjes së marrëdhënieve në rajonin tonë” tha zoti Meta, ndërsa shtoi se “bashkëpunimi dhe miqësia shqiptaro-malazeze janë tejet të rëndësishme për stabilitetin e rajonit”.
Në konteksin e bashkëpunimit ballkanik, kreu i parlamentit shqiptar tha se “ne besojmë se një Ballkan tërësisht i integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO është zgjidhja përfundimtare e problematikës që trashëgojmë nga e kaluara”.
Por pjesa më e rëndësishme e fjalimit të zotit Meta, ishte ajo që mund të cilësohet çështja shqiptare. Me një fjalor të zgjedhur dhe tone mjaftë miqësore zoti Meta vlerësoi vëmendjen që autoritetet malazeze u kushtojnë të drejtave të shqiptarëve. “Inkurajojmë progresin e mëtejshëm në këtë drejtim, ashtu siç inkurajojmë vazhdimisht pjesëmarrjen kontribuuese dhe konstruktive të shqiptarëve në të gjithë jetën institucionale dhe politike të Malit të Zi” tha ai. Zoti Meta e konsideroi të jashtëzakonshëm kontributin e shqiptarëve të Malit të Zi për pavarësinë e vendit dhe për forcimin e shtetit të Malit të Zi si një shtet demokratik, evropian dhe euro-atlantik. “Por, tha ai, mendoj se ka ende hapësirë jo vetëm për të përmirësuar standardet e jetesës së pakicës shqiptare për një bashkëjetesë më solide dhe demokratike. Ka ardhur koha që si miq të flasim më hapur dhe të veprojmë përmes një vullneti te qarte e konkret me qellim që premtimet e dhëna të japin rezultate të prekshme në terren” tha kreu i parlamentit shqiptar Ilir Meta.
Duke detajuar çështjet, zoti Meta theksoi “…nevojën e decentralizimit të pushtetit lokal, një kërkesë veçanërisht e rëndësishme kjo për komunat me shumicë shqiptare”. “Për sa i përket përdorimit të gjuhës amtare dhe simboleve kombëtare, mendoj se mbishkrimet në vise me shumicë shqiptare mund të jenë edhe më të dukshme në gjuhën shqipe, ndërkohë që flamuri shqiptar mund të jetë i pranishëm në institucione shtetërore me seli në komuna me shumicë shqiptare, përkrah flamurit shtetëror kombëtar të Malit të Zi” shtoi më tej ai. “Ka patur dilema në të kaluarën për sa i përket statusit të komunës së Tuzit, si qendër e Malësisë. Por sot jam pak më i qartë edhe nga bisedimet që kemi zhvilluar, se Tuzi duhet të jetë komune e pavarur, por duke ruajtur edhe disa lidhje me Podgoricën për të synuar një zhvillim të sigurt social dhe ekonomik në të mirë të qytetarëve” hyri më në detaje kreu i parlamentit shqiptar.
Zoti Meta ndërkohë dha siguri se ishte mjaftë i ndjeshëm përsa u përket të drejtave dhe kërkesave të pakicës malazeze në Shqipëri, “përfaqësimin e së cilës ne po e shikojmë të lidhur me përmirësimin e kuadrit ligjor në Shqipëri, në përmbushje edhe të detyrimeve ndaj Bashkimit Evropian”.
Edhe njëherë në konteksin e bashkëpunimit ballkanik zoti Meta theksoi se “Ne si politikanë kemi një përgjegjësi të veçantë në vendet tona respektive për ruajtjen e forcimin e stabilitetit dhe sidomos te sigurisë për popujt tanë në këto kohë të vështira”. “Ndaj besoj se forca jonë e të ardhmes gjendet në zhvillimin e institucioneve demokratike, në heqjen e barrierave dhe në shmangien e paragjykimeve, të cilat sjellin konflikte, izolim e prapambetje” tha ai, duke shtuar se “Në këtë botë globale, konkurrenca nuk bëhet më mes fqinjëve, por mes rajoneve, dhe vendet tona modeste duhet të jenë të ndërgjegjshëm se vetëm përmes bashkëpunimit dhe të bashkuar mund t’i fitojmë sfidat gjithnjë e më të vështira të së ardhmes”.
“Dua t’ju siguroj se fuqizimi i Malit të Zi si shtet demokratik, evropian dhe euro-atlantik është një interes kombëtar i yni, i shqiptarëve” përfundoi fjalën e tij në parlamentin e Malit të Zi kreu i parlamentit shqiptar Ilir Meta.