KRYEFAQJA » LAJME » Meta në Pekin: Marrëdhëniet me Kinën, miqësore dhe tradicionale
Meta në Pekin: Marrëdhëniet me Kinën, miqësore dhe tradicionale

Meta në Pekin: Marrëdhëniet me Kinën, miqësore dhe tradicionale

Shqipëria dhe Kina synojnë të intensifikojnë më tej marrëdhëniet mes tyre. Kjo është bërë e ditur gjatë vizitës në Pekin të kryetarit të parlamentit shqiptar Ilir Meta. Gjatë takimit me Ministrin për Marrëdhëniet me Jashtë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, zotin Song Tao, zoti Meta theksoi se në Shqipëri çdo parti parlamentare vlerëson dhe mbështet marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës, marrëdhënie këto miqësore dhe tradicionale. Si shprehje besimi për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, zoti Meta vlerësoi se “Projekti pilot për mësimin e gjuhës kineze në 5 shkolla 9-vjeçare në Shqipëri si dhe hapja e Institutit Konfuci tregon interesin e madh që kanë shqiptarët për mësimin e gjuhës dhe kulturës kineze”.
Me të njëjtën gjuhë është shprehur edhe Ministri për Marrëdhëniet me Jashtë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, z. Song Tao. Ai tha se marrëdhëniet me Shqipërinë mike janë të qëndrueshme dhe kanë rëndësi të veçantë për Kinën. “Unë qysh fëmijë jam rritur me idenë se Shqipëria është vend mik dhe pres me padurim ta vizitoj në kohën më të afërt”, tha z. Song Tao. Zyrtari lartë kinez shprehu bindjen se çdo sukses i Kinës ka ardhur si rezultat i mirëorganizimit dhe vetëkontrollit brenda radhëve të Partisë Komuniste të Kinës. Në kuadër të nismës 16+1, ai tha se “Kina do të vazhdojë të zhvillojë dialogun politik pasi ne besojmë se partia është forcë nxitëse për vendin dhe do të angazhohemi të nxisim kompanitë kineze të kryejnë investime me leverdi reciproke”.