KRYEFAQJA » LAJME » Meta në SHBA: “Jam i sigurtë se në vjeshtë ne do të kemi një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave”

Meta në SHBA: “Jam i sigurtë se në vjeshtë ne do të kemi një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave”

Gjatë vizitës së tij në Washington, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi aktivitete me disa institute prestigjioze si Qendra “Woodrow Wilson”, Qendra “Truman” për Çështjet e Sigurisë dhe me Fondacionin Heritage.
Kryeparlamentari Meta diskutoi mbi axhendën politike në Shqipëri, me theks të veçantë tek reforma në drejtësi, duke vënë në pah rëndësinë e saj si dhe nevojen për përmirësimin e sistemit shqiptar të drejtësisë.
Zoti Meta tha se kjo reformë është e një rëndësie madhore për të rritur standardet e sundimit të ligjit në vend dhe në drejtim të forcimit të ligjit. Ajo do të ndikojë për përmirësimin në mënyrë të ndjeshme të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe për të përmirësuar akoma më tepër klimën për investitorët. “Ne synojmë hapjen e negociatave për t’u anëtarësuar ne Bashkimin Europian dhe reforma në drejtësi është një kusht i qartë për këtë hap. Jam i sigurtë se në vjeshtë ne do të kemi një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave” tha zoti Meta.
Kreu i parlamentit shqiptar rikonfirmoi rëndësinë e madhe që SHBA kanë në të gjitha këto procese dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit. “Është shumë e rëndësishme për ne që të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të mbajmë vëmendjen e duhur te Shqipëria dhe në rajonin tonë. Gjithashtu eshtë thelbësore për të gjithë ne që të punojmë së bashku; Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia apo edhe vendet e tjera të rajonit. Konkurrenca sot bëhet mes rajoneve dhe ne kemi nevojë të përmirësojmë imazhin e rajonit tonë, duhet ta bëjmë më tërheqës dhe më të besueshëm” tha zoti Ilir Meta.
Kryetari i parlamentit tha se Shqipëria përfaqëson një ekonomi që ka potenciale të mëdha zhvillimi dhe e vuri theksin te sektorët ku duhet fokusuar dhe që përfaqësojnë mundësi më të mëdha zhvillimi në të ardhmen si turizmi, bujqësia, energjia, burimet natyrore etj.