KRYEFAQJA » LAJME » Meta në SHBA kërkon ndihmë për Reformën në Drejtësi

Meta në SHBA kërkon ndihmë për Reformën në Drejtësi

Kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta i cili gjendet për një vizitë në SHBA, u ka kërkuar autoriteteve amerikane ndihmë për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Zoti Meta i bëri këto kërkesa gjatë takimit me ndihmës sekretarin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA Alan Bërsin. “Pas miratimit të reformës në drejtësi, është e domosdoshme që SHBA të intensifikojnë asistencën e tyre për një fazë të suksesshme te zbatimi të reformës” tha zoti Meta. Siguria në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit ka qenë një pikë e rëndësishme e takimeve që ka zhvilluar zoti Meta. Duke marrë në konsideratë edhe efektet e krizës së fundit migratore në Evropë si dhe eksperiencën e gjerë amerikane në fushën e sigurisë, dy bashkëbiseduesit vlerësuan se Shqipëria dhe SHBA duhet ta rrisin bashkëpunimin e tyre për një kontroll më rigoroz të kufijve dhe në funksion të përforcimit të infrastrukturës strategjike në porte e aeroporte.  Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi takime me zyrtarë të tjerë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe të këshillit të sigurisë kombëtare.