KRYEFAQJA » LAJME » Meta në SHBA merr pjesë në Forumin Global të Komitetit Hebraik Amerikan

Meta në SHBA merr pjesë në Forumin Global të Komitetit Hebraik Amerikan

Me ftesë të Komitetit Hebraik Amerikan, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta mori pjesë në Forumin Global të këtij komiteti në Washington DC, gjatë të cilit u zhvilluan edhe dy seanca kushtuar marrëdhënieve mes popullit shqiptar dhe popullit hebre.
Z. Meta foli për kontributin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve në mbështetje të hebrenjve gjatë periudhës së holokaustit, duke vënë theksin edhe në marrëdhëniet e rëndësishme mes Shqipërisë dhe Izraelit. “Ne duhet të ndërtojmë mbi këtë miqësi historike që gëzojmë, duke i kthyer marrëdhëniet tona të bashkëpunimit në një përfitim të përbashkët mes dy popujve. Njëkohësisht, të dy vendet tona duhet të vazhdojnë të punojnë ngushtë dhe ta forcojnë aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rritja e elementëve të terrorizmit na përball me rrezikun e një të ardhmeje të paqartë e të pasigurt, ndaj duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër çdo lloj forme terrori”, tha Meta.
Kryeparlamentari Meta u përqendrua edhe në situatën në Lindjen e Mesme dhe vuri në dukje se Shqipëria mbështet një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme për konfliktin në këtë rajon si dhe politikën e dy shteteve Izrael-Palestinë.
Gjatë punimeve të Forumit Global të AJC, Kryetari i Kuvendit u prit edhe nga Shefi Ekzekutiv i Komitetit Hebraik Amerikan, David Harris, i cili shprehu mirënjohjen e komunitetit hebraik për miqësinë e ngushtë që ekziston mes popullit shqiptar dhe popullit hebre, si dhe shprehu mbështetjen e AJC për forcimin e bashkëpunimit mes Izraelit dhe Shqipërisë në të ardhmen.