KRYEFAQJA » LAJME » Meta: Partneriteti shqiptaro-amerikan do të vazhdojë të lulëzojë në interes të dy vendeve

Meta: Partneriteti shqiptaro-amerikan do të vazhdojë të lulëzojë në interes të dy vendeve

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta deklaroi gjatë një interviste për Televizionin Publik Shqiptar se zgjedhjet në SHBA nuk i ndikojnë marrëdheniet mes Shqipërisë dhe aleatit të saj strategjik.”Unë nuk besoj se ka një lidhje të drejtpërdrejtë aq më tepër midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë rast pasi ky është një partneritet strategjik. Këto raporte kanë qënë solide për një kohë të gjatë, pavarësisht nga ndërrimi i presidentëve, dhe raportet në Kongres apo Senat. Jam i bindur që ky partneritet do të vazhdojë të lulëzojë në interesin e dy vendeve tona” i tha zoti Meta gazetares së TVSH Sonila Agostini.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë deklarohet optimist edhe për lajmin nga Brukseli për hapjen e negociatave për anëtarësimin Shqipërisë në BE. “Pa diskutim, unë besoj që rekomandimi do të jetë pozitiv për arsye se Shqipëria ka hedhur disa hapa të rëndësishme përpara në reformat më kyçe sidomos atë të drejtësisë dhe natyrisht që edhe Komisioni Europian do të mbajë fjalën e tij për t’ju përgjigjur këtyre hapave me një hap pozitiv sikurse është rekomandimi për çeljen e negociatave” tha kreu i parlamentit shqiptar Ilir Meta për TVSH.