KRYEFAQJA » LAJME » Meta për “Kathimerini”, “Të përballemi me plagët”
Meta për "Kathimerini", "Të përballemi me plagët"

Meta për “Kathimerini”, “Të përballemi me plagët”

Kreu i parlamentit shqiptar Ilir Meta, i cili pak ditë më parë zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, ka deklaruar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë marrëdhënie shekujsh miqësie, dhe pavarësisht krizës ekonomike dhe momenteve të vështira që kanë kaluar qytetarët grekë, Greqia mbetet një prej partenëreve kryesorë tregtarë me Shqipërinë, ndërkohë që investimet greke luajnë një rol substancial në ekonominë e Shqipërisë. Deklaratat e tij zoti Meta i bër gjatë një interviste për gazetën e njohur greke “Kathimerini”.
I pyetur për çështjet e hapura mes Shqipërisë dhe Greqisë si çështja çame, zoti Meta tha se nëse hapen plagët e së kaluarës, ato duhet t’i trajtojmë në mënyrë konstruktive, pragmatike dhe bashkëpunuese. “Nuk ka asnjë çështje për të cilën ne nuk mund të diskutojmë si fqinj! Përballja me historinë, ashtu siç kanë bërë kombe të tjerë evropianë në të kaluarën, do të përgatiste terrenin e duhur për të gjetur zgjidhje për një sërë çështjesh që lidhen me varrezat greke në territorin shqiptar, tekstet e historisë, delimitimin e shelfit kontinental dhe patjeter me “Çështjen çame”, për të cilën ne kemi qëndrime të kundërta dhe të ndryshme. Të gjitha këto çështje janë të trashëguara dhe shkaktojnë dhimbje në të dy anët e kufirit” tha kreu i parlamentit shqiptar.
I pyetur nga gazeta “Kathimerini”, “A ndjehet vendi juaj i kërcënuar prej Greqisë?” zoti Meta përgjigjet: “Aspak! Ne ndjejmë se Greqia është një aleat dhe fqinj i mirë. Ne mbështetemi tek përkrahja e vazhdueshme e Qeverisë dhe Parlamentit tuaj për të avancuar axhendën tonë evropiane dhe ndjejmë se Greqia është një avokate e rëndësishme e Shqipërisë në BE. Kjo është pikërisht arsyeja përse në të gjithë takimet në Athinë mbajta vazhdimisht qëndrimin se ligji paradoksal i luftës, nuk bën sens mes dy partnerëve miq, fqinj dhe anëtarë të NATOs”.

I pyetur për projektin TAP, zoti Meta teksa vlerëson ekspertizën greke gjatë zbatimit të këtij projekti në terren, shprehet se TAP-i çel mundësi të reja për investime dhe projekte në të dy vendet. “…po të marrim në konsideratë këtu zgjatimin IAP të gazsjellësit drejt Malit të Zi dhe Kroacisë, unë besoj se pesha gjeo-strategjike e Shqipërisë dhe Greqisë, si shtylla stabilitetit në rajonin tonë, vetëm rritet” i tha zoti Meta gazetës greke “Kathimerini”.