KRYEFAQJA » LAJME » Meta pret delegacionin e Komitetit Hebraik, diskutojnë sfidat e terrorizmit
IMG_0338-620x413

Meta pret delegacionin e Komitetit Hebraik, diskutojnë sfidat e terrorizmit

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot një delegacion të Komitetit Hebraik Amerikan (AJC), kryesuar prej shefit Ekzekutiv, David Harris.

Gjatë bisedës, kryeparlamentari shprehu mirënjohjen për interesin që AJC tregon ndaj Shqipërisë duke e përfshirë vendin tonë në agjendën e aktivitetit global të Komitetit Hebraik Amerikan. Edhe gjatë këtij takimi, u përmend fakti i kontributit të shqiptarëve gjatë  Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur hebrenjtë.

Nga ana e tij, Harris nënvizoi se Komuniteti Hebraik Amerikan, si organizatë përfaqësuese e një kombi me kujtesë të qartë historike, ndjehet thellësisht mirënjohës për atë që shqiptarët dhanë ndaj hebrenjve në të kaluarën.

Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit globale dhe sfidat e terrorizmit dhe sigurisë me të cilat përballet njerëzimi sot, Harris vuri në dukje se miqësia që Shqipëria ka me Izraelin, partneriteti që gëzon me SHBA dhe vlerat e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare që reflekton shoqëria shqiptare, përfaqësojnë një shembull suksesi për vendet e tjera në betejën për mbrojtjen e vlerave demokratike e shoqërore që na bashkojnë.

Në përfundim, duke iu përgjigjur interesit të përfaqësuesve të AJC mbi klimën e biznesit në Shqipëri,  Meta theksoi se kryefjala e angazhimit politik sot mbetet reformimi i sistemit të drejtësisë si një element kyç në forcimin e sundimit të ligjit dhe në rritjen e besimit në potencialet investuese të Shqipërisë në botë.