KRYEFAQJA » LAJME » Meta: Shqipëria aleate dhe ithtare e madhe e NATO-s
Meta: Shqipëria aleat dhe ithtar i madh i NATO-s

Meta: Shqipëria aleate dhe ithtare e madhe e NATO-s

“Shqipëria është një vend i vogël, por një aleat dhe ithtar i madh i NATO-s dhe misionit të saj” deklaroi kreu i parlamentit shqiptar Ilir Meta, gjatë pritjes për delegacionet pjesëmarrëse në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillon punimet në Tiranë. Ai kujtoi se mbledhja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Shqipëri ka një simbolikë të veçantë, pasi nga të gjitha vendet ish-komuniste, Shqipëria ishte vendi më i izoluar dhe më armiqësor ndaj aleancës perëndimore të demokracive.“26 vite më parë kjo pritje në Shqipëri do të ishte përtej imagjinatës. Ne ishim si armiqtë e pamëshirshëm për njëri-tjetrin, por për fat të mirë historia ka ndryshuar, dhe ka ndryshuar për mirë” tha zoti Meta. “Sot ju ndodheni këtu si partnerët tanë dhe si mysafirë për të diskutuar rreth sfidave strategjike dhe gjithashtu për të përjetuar mikpritjen e mrekullueshme shqiptare, historinë dhe kulturën” theksoi kreu i parlamentit shqiptar.
Zoti Meta çmoi se prania e një numri kaq të madh delegatësh, është dëshmi e rëndësisë që Shqipëria i kushton dimensionit parlamentar të NATO-s. “Secili nga vendet tona sjell në këtë Aleancë karakteristika specifike, si një pasqyrim i diversitetit tonë individual politik, kulturor dhe shoqëror. Kjo është një vlerë e shtuar për NATO-n, që e bën atë më të fortë. Për këtë qëllim, ne të gjithë jemi të bashkuar fort nga vlerat tona të përbashkëta të demokracisë dhe vullneti për të mbrojtur sigurinë tonë të përbashkët” tha zoti Meta.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, zoti Michael Turner u shpreh se ndihet me fat që parlamentarët shqiptarë kanë qenë kaq aktivë në NATO. “Shqipëria ka pritur shumë takime të Asamblesë ndër vite, si vend partner dhe më pas si vend anëtar. Jemi me fat që parlamentarët shqiptarë kanë qenë kaq aktivë në organizatën tonë. Ky është Sesioni i parë që Asambleja zhvillon në Shqipëri dhe është kënaqësi e madhe që ndodhem këtu, në Tiranë, për këtë ngjarje shumë të rëndësishme. Ne që jemi rritur gjatë Luftës së Ftohtë e kuptojmë domethënien e thellë të këtij takimi parlamentar në Tiranë” tha zoti Turner. Ai kujtoi se Shqipëria, dikur një vend hermetikisht i izoluar nga pjesa tjetër e botës, sot është një vend i transformuar dhe se populli shqiptar ka përqafuar më së miri vlerat mbi të cilat është themeluar kjo Aleancë. “Nuk është e tepërt të them se shqiptarët ishin të burgosur, të privuar nga liria e tyre, si fizike, ashtu dhe intelektuale. Sot, vendi është i transformuar. Populli shqiptar ka përqafuar vlerat mbi të cilat është themeluar Aleanca jonë: demokracia, liria individuale dhe shteti i së drejtës. Janë pikërisht këto vlera që i japin Aleancës tonë forcën, solidaritetin dhe kuptimin e qëllimit të saj. Ato na bashkojnë si një bashkësi kombesh. Dhe akoma më shumë: ato na lidhin së bashku në miqësi” tha Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, zoti Michael Turner.
Duke e cilësuar Shqipërinë si një testament i vërtetë i vlerës së zgjerimit të NATO-s, ai vlerësoi kontributin që jep për paqen dhe stabilitetin. “Shqipëria kontribuon në operacionet e NATO-s, si Mbështetja e Vendosur në Afganistan dhe KFOR-i në Kosovë. Zgjerimi i NATO-s krijon një zonë më të gjerë paqeje dhe stabiliteti, që nuk kërcënon askënd” tha Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s Michael Turner.