KRYEFAQJA » LAJME » Meta takim me delegacionin e parlamentit të Danimarkës
Meta takim me delegacionin e parlamentit të Danimarkës 1

Meta takim me delegacionin e parlamentit të Danimarkës

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti një delegacion të Komisionit për Çështjet Evropiane të Parlamentit të Danimarkës kryesuar nga Kryetarja, Mette Gjerskov. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe veçanërisht mes dy parlamenteve, si shumë të rëndësishme jo vetëm në planin dypalësh, por mbi të gjitha për integrimin evropian të Shqipërisë. Meta tha se fokusi mbetet në reformimin thelbësor të sistemit të drejtësisë, si kyç për suksesin e të gjitha reformave të tjera që janë të nevojshme për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe për thithjen e investitorëve të huaj në vend. Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane të Parlamentit të Danimarkës tha se Danimarka mbështet progresin e Shqipërisë dhe zbatimin e reformave kyçe që janë në proces, duke nënvizuar se kjo rrit besueshmërinë e Shqipërisë pranë partnerëve të saj evropianë.

Kryetari i Kuvendit, Meta dhe deputetët danezë diskutuan edhe mbi situatën në rajon, duke u ndalur tek kriza migratore që ka prekur gjithë hapësirën evropiane. Në këtë kuadër, kryeparlamentari Meta theksoi se kjo krizë është një sfidë e përbashkët evropiane dhe Shqipëria është e përgatitur të bëjë pjesën e saj, pa ngritur mure dhe në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtarë.