KRYEFAQJA » LAJME » Meta, takim me Totozanin dhe Klosin
ilir meta, igli totozani, blendi klosi, takim, jetimorja e shkodres

Meta, takim me Totozanin dhe Klosin

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka zhvilluar një takim me Avokatin e Popullit Igli Totozani ku në qëndër të diskutimeve ka qënë ngjarja e rëndë e ndodhur në Jetimoren e Shkodrës. Z. Meta shprehu shqetësimin e thellë mbi ngjarjen si dhe nënvizoi ndjeshmërinë e thellë lidhur me të. Kryetari i Kuvendit, Meta vlerësoi institucionin e Avokatit të Popullit për kurajon në denoncimin e një ngjarje të tillë ndaj fëmijëve të pambrojtur, si edhe kërkoi marrjen e masave dhe bashkëpunimin më të gjerë ndërinstitucional për zbardhjen sa më të shpejtë dhe të plotë të këtij akti jashtëzakonisht të rëndë.

Z. Meta kërkoi monitorimin e kujdesshëm për çdo qendër rezidenciale duke nënvizuar se në përpjekjen për të garantuar shërbimin e duhur në këto qendra, strukturat e shtetit kanë të gjithë përkrahjen dhe mbështetjen e publikut. Avokati i Popullit, Totozani, informoi z. Meta për mënyrën e trajtimit të këtij rasti dhe se pas shqyrtimit të fakteve të gjetura, rruga e vetme mbetej rekomandimi për fillimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë dhe ndëshkimin e fajtorëve.

Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit Meta priti në një takim edhe Ministrin e Mirëqenies Sociale Blendi Klosi.

Z. Meta shprehu angazhimin e tij të thellë që Kuvendi i Shqipërisë të marrë edhe iniciativa ligjore në këtë drejtim që do të synonin përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues dhe do të ishin në ndihmë të kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare.