KRYEFAQJA » LAJME » Meta takohet me investitorë maqedonas
Tension në mbledhjen e byrosë parlamentare

Meta takohet me investitorë maqedonas

Vendet e Ballkanit po shikojnë mundësinë e bashkëpunimit mes tyre për të konkuruar me projekte rajonale zhvillimi. Gjatë një takimi në Tiranë mes kreut të parlamentit Ilir Meta dhe një grupi përfaqësuesish të Zyrës Ndërkombëtare të Investitorëve Maqedoni-Shqipëri-Kosovë, u fol për nevojën e rritjes së shkëmbimeve dhe bashkëpunimit. “Në këto periudha të mbushura me sfida që vijnë edhe për shkak të globalizimit, është e rëndësishme të kuptojmë që nuk konkurrojmë më me njëri-tjetrin, pra ekonomi kombëtare me ekonomi kombëtare apo ekonomi lokale me ekonomi lokale, por konkurrohet në nivel rajonal” tha zoti Meta. Sipas tij “…rritja e shkëmbimeve me njëri-tjetrin, bashkëpunimi me njëri-tjetrin, respektimi i rregullave të cilat na ndihmojnë të përafrojmë standardet dhe legjislacionin tonë me atë të BE-së, heqja edhe shmangia e shumë barrierave të panevojshme na ndihmon që të krijojmë një ekonomi të përbashkët rajonale, e cila të ketë mundësi të konkurrojë dhe jo vetëm të tërheqë investime të huaja në mënyrë të suksesshme, por edhe të eksportojë, çka është shumë e rëndësishme”.
Kreu i parlamentit shqiptar duke ju referuar zhvillimeve në Maqedoni, veçanërisht zgjedhjeve të 5 majit tha se ato do të jenë një mundësi e mirë për të rikthyer besimin mes palëve dhe stabilitetin e të gjitha institucioneve, që do të dalin nga votat e qytetarëve. “Ne gjithashtu jemi të interesuar për stabilitetin e Maqedonisë dhe shpresojmë që zgjedhjet e 5 qershorit të jenë një mundësi shumë e mirë për t’i dhënë fund gjithë kontestimeve të deritanishme dhe për të stabilizuar të gjithë institucionet që do të dalin nga vota e qytetarëve në Maqedoni, që nga Kuvendi, qeveria e kështu me radhë” tha politikani i lartë shqiptar. Sipas zotit Meta “Kjo është shumë e rëndësishme për vetë imazhin e Maqedonisë dhe të rajonit tonë. Mbi të gjitha shpresojmë që zgjidhja dhe përfundimi i kësaj krize të ndihmojë edhe për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si edhe për avancimin e proceseve integruese” tha zoti Ilir Meta.