KRYEFAQJA » LAJME » Meta takohet me Llallen në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit

Meta takohet me Llallen në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka zhvilluar një takim me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, përgjegjësitë që ai ka si organ përgjegjës për administrimin e vetëdeklarimeve, si dhe bashkëpunimin me këtë institucion në zbatim të parashikimeve ligjore.

Ndërkaq në vijim të detyrimeve që burojnë nga ky ligj. Kreu i Kuvendit Meta ka nxjerrë urdhrin për caktimin e strukturës së posaçme, pranë të cilës do të dorëzohen dhe administrohen formularët e vetëdeklarimit.

Kuvendi i Shqipërisë njëkohësisht, në përputhje me parashikimet e akteve të ligjit, ka hartuar dhe publikuar në faqen zyrtare të tij Regjistrin “Për vetëdeklarimin pranë Kryetarit të Kuvendit të titullarëve apo anëtarëve të organeve kushtetuese, institucioneve të krijuara me ligj, si dhe funksionarët politikë të Kuvendit”.

Kreu i Kuvendit Meta inkurajon të gjithë titullarët apo anëtarët e organeve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit dhe Vendimit të Kuvendit.