KRYEFAQJA » LAJME » Meta: Të pakësohet numri i deputetëve dhe biznesmenëve në parlament
Meta: Të pakësohet numri i deputetëve dhe biznesmenëve në parlament

Meta: Të pakësohet numri i deputetëve dhe biznesmenëve në parlament

Kreu i parlamentit shqiptar Ilir Meta, njëherësh kreu i LSI, partia e dytë më e madhe e koalicionit qeveritar, ka kërkuar që pas reformës administrative, të shihet edhe mundësia e pakësimit të numrit të deputetëve. Deklaratën e tij zoti Meta e bëri gjatë një tyreze të organizuar nga KQZ ku u hodhën ide për Reformën e re Zgjedhore. “Mendoj …se numri i deputetëve është i madh. Nga Reforma Administrative, nga 400 e ca njësi kaluam në 61 njësi, një hap i domosdoshëm. Prandaj, duhet parë ndoshta diçka dhe te Parlamenti se kjo do të ndikojë në një cilësi më të mirë të Parlamentit nga sa është sot” tha ndër të tjera zoti Meta. Zoti Meta preku edhe një tjetër çështje që debatohet jo pak në politikën shqiptare, atë të pjesmarrjes në parlament të njerëzve nga biznesi. “Një problem tjetër që unë e kam thënë …është kufizimi i pjesëmarrjes së biznesmenëve në parlament. Mund të mos kenë të bëjnë me dekriminalizimin, por pjesëmarrja e madhe e biznesmenëve në parlament dhe poste publike është një problem, por shpesh ndikon në presione që i bëhen dhe qeverisë, politikës, për interesa të ngushta”.
Për zotin Ilir Meten problem mbetet blerja e votes për të cilën kërkoi penalizim maksimal, ndërsa tha se partitë të respektojnë procesin e dekriminalizimit. “Këto kanë të bëjën me penalizmin maksimal të të gjitha atyre që tentojnë blerjen e votës, apo atyre që tentojnë fotografimin e votës si mjet për të marrë votën, apo atyre që tentojnë presionin për të marrë votën. Apo akoma më keq me shantazhe të ndryshme të adminsitratës publike ndaj punëdhënësve të ndryshëm” tha zoti Meta në tryezën e organizuar nga KQZ ku u përsërit kërkesa për miratimin sa më shpejt të të Kodit Zgjedhor.