KRYEFAQJA » LAJME » “Miku” i Patës fshehu telefonat celularë pas atentatit

“Miku” i Patës fshehu telefonat celularë pas atentatit

Me dorën e fashuar, vështirësi në lëvizje dhe nën masa të rrepta sigurie është shoqëruar për në gjykatën e rrethit të Fierit Ilirjan Alinani, i plagosuri në atentatin e Nelgert Patës. Ai është vënë nën akuzën e “pengimit të zbulimit të së vërtetës” për ngjarjen e zhvilluar, pasi ka deklaruar se nuk ka njohje me viktimën. Seanca e caktimit të masës së sigurisë u mbajt me dyer të mbyllura por burime bëjnë të ditur për Televizionin Shqiptar se Alinani dyshohet se ka fshehur telefonat celularë, si të vetin, ashtu edhe të viktimës Nelgert Pata pas ngjarjes. Sipas 39-vjecarit ai e njihte shumë pak viktimën dhe nuk kishte dijeni mbi konfliktet që kishte, por prokurori mësohet të ketë deklaruar se kjo dëshmi nuk mund të jetë e besueshme pasi nga verifikimi i tabulateve rezulton se Alinani dhe Pata kanë komunikuar shpesh me njëri-tjetrin. Gjithashtu organi i akuzës dyshon se makina më të cilën udhëtonin ditën e atentatit, Alinanit ia ka blerë Nelgert Pata. Këto fakte për prokurorinë janë të mjaftueshme për të krijuar bindjen se ata të dy njiheshin shumë mirë.