KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ministri i financave: “Me Eurobondin i kemi bërë të mirën e duhur financave të vendit”
Ministri i financave: "Me Eurobondin i kemi bërë të mirën e duhur financave të vendit"

Ministri i financave: “Me Eurobondin i kemi bërë të mirën e duhur financave të vendit”

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka mbrojtur sigurimin e eurobondit nga qeveria shqiptare, si një element kyç në zhvillimin e ekonomisë së vendit. “Eurobondi është pjesë e një strategjie që synon lehtësimin e borxhit publik. Shqipëria arriti të marrë 450 mln euro me një normë interesi prej 5.75 për qind” tha zoti Cani gjatë një konference për shtyp të martën në Tiranë. Ai bëri të ditur se buxheti i shtetit edhe për vitin 2015 është me defiçit. “Ka 25 vite që buxheti i vendit del me defiçit, nuk kemi arritur në asnjë vit të dalim me sufiçit. Me Eurobondin i kemi bërë të mirën e duhur financave të vendit” tha ministri i financave Shkelqim Cani. Ministri tha se të ardhura nga eurobondi do të përdoren për shpenzime kapitale dhe operative, ndërsa 150 milion për të mbuluar defiçitin. Sipas tij për zhvillimin e ekonomisë qeveria ka nisur 12 reforma, të cilat janë vlerësuar maksimalisht nga partnerët ndërkombëtarë.
Shqipëria arriti të marrë një eurobond me vlerë 450 mln euro me një normë interesi prej 5.75 për qind për pesë vitet e ardhshme. Disa ekspertë mendojnë se situata është e favorshme, por kanë dyshime lidhur me mënyrën si po performon ekonomia shqiptare. Ministri i financave Shkëlqim Cani pranoi se Shqipëria do të marri borxh nga viti në vit dhe se ajo do të dali me deficit deri në vitin 2020. “Rëndësi ka që niveli i rritjes ekonomike të jetë më i lartë se sa niveli i borxhit që marrim. Në këtë rast duket ekonomia në ecje” tha zoti Cani. Aktualisht rritja vjetore e ekonomisë shqiptare është mbi 2.1 për qind.