KRYEFAQJA » LAJME » Ministri i Jashtëm i Kosovës pritet nga Mogherini
Ministri i Jashtëm i Kosovës pritet nga Mogherini

Ministri i Jashtëm i Kosovës pritet nga Mogherini

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka filluar vizitën e tij dy ditore në Bruksel dhe Strasburg ku do të ketë takime me krerët më të lartë të institucioneve europiane. Takimin e parë, Hoxhaj, e ka bërë me Përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, sfidat rajonale, liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së.

Ai tha se ka marrë në këtë takim një mbështetje të fortë politike nga BE-ja për Kosovën, institucionet e saj dhe zhvillimin e dialogut me Serbinë. Por, sipas tij, BE-ja duhet të bëjë presion mbi Serbinë që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura dhe të kushtëzojë progresin e mundshëm të saj në rrugën europiane me njohjen e Kosovës.

“Zhvillova një takim shumë të mirë me shefen e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini. Diskutuam për shumë çështje të zhvillimeve politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe raportet mes Kosovës dhe BE-së pas nënshkrimit të MSA-së. Theksova nevojën për më shumë presion ndaj Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzim në rrugën e saj europiane nëse vazhdon të ketë qasje bllokuese ndaj Kosovës. Pa një afatizim të dialogut dhe zbatim të marrëveshjeve, vështirë të flasim për progres dhe normalizim të mirëfilltë”, tha Hoxhaj.

Po ashtu, temë diskutimi ka qenë edhe çështja e votimit të demarkacionit me Malin e Zi, për të cilin është shprehur gatishmëria dhe vullneti i plotë që ka qeveria e Kosovës për ta shtyrë sa më parë këtë.