KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ministria e Energjisë anulon ndërtimin e 6 HEC-eve në Theth

Ministria e Energjisë anulon ndërtimin e 6 HEC-eve në Theth

Ministria e Energjisë ka vendosur të prishë kontratat konçesionare të firmosur në vitin 2009 nga qeveria Berisha, që parashikonte ndërtimin e 6 hidrocentraleve në lumin e Shalës në zonën e Thethit. Në shkresën që disponon TVSH, Ministria e Energjisë bën të ditur se “Zgjidhja e njëanshme e Kontratës së Konçesionit u bë sepse Konçesionari nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur detyrimet e tij, siç janë mos hartimi dhe dorëzimi i Projekt-Zbatimit, si dhe mos sigurimin e Kontratës Konçesionare”. Në dokument bëhet e ditur gjithashtu se ministria ka gjetur shkelje të kryera nga konçesionari në raport me detyrimet kontraktuale. Nga auditimi i kontratës është konstatuar se megjithëse ishte dorëzuar formalisht projekti i zbatimit, nga ana e Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore i ishte bërë me dije konçensionarit se projekti nuk është i plotë dhe se në përmbatje të tij mungojnë një sërë raportesh e dokumentash si skema e shfrytëzimit hidroenergjitik; raportet hidroenergjitike e hidroteknike; raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe raportet e planit të biznesit. Autoriteti kontraktor ka njoftuar disa herë për plotësimin e projektit të zbatimit, por nuk ka marrë përgjigje. Konçesioni që mban firmën e ish kryeministrit Berisha i ishte dhënë në atë kohë Bashkimit të Përkohshëm të Shoqërive “Interenergo”, por në 2014, 71 përqind të kuotave të shoqërisë konçesionare ju transferuan një tjetër shoqërie me emrin “Falak Properties” l.t.d. dhe 4 përqind shoqërisë “Power Energy Group” l.t.d.