KRYEFAQJA » LAJME » Ministria e mjedisit, paketë për amendimin e kodit penal për krimet mjedisore

Ministria e mjedisit, paketë për amendimin e kodit penal për krimet mjedisore

1 deri në 15 vite burg për personat apo subjektet që shkatërrojnë monumentet mjedisore si dhe ata që shkaktojnë ndotje apo fatkeqësi mjedisore parashikohen në paketën e amendimeve të kodit penal që ministria e mjedisit ka përgatitur për t’i dorëzuar brenda këtij viti ministrisë së drejtësisë. Në një tryezë të përbashkët me OSBE-në për krimin mjedisor në vend, ministri i mjedisit Lefter Koka, u shpreh se kodi aktual penal ka mangësi që ia vështirësojnë punën institucioneve mjedisore.

Koka gjithashtu u bëri thirrje kryetarëve të bashkive të zbatojnë ligjin sa u takon mbrojtjes së pyjeve. Ndërsa kreun i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Bernd Boshard, u shpreh se zhvillimi i qëndrueshëm mjedisor është kyç për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në nivel vendor, kombëtar dhe rajonal. Për Boshard, krimi mjedisor kërcënon burimet natyrore të shqipërisë, duke u bërë një pengesë drejt një ekonomie burimesh eficente me rritje dhe punësim të sigurtë. Sipas tij, situata aktuale mjedisore, përbën një rrezik madhor pasi degradon burimet natyrore dhe rrit ndotjen me të gjitha pasojat e saj socio-ekonomike.