KRYEFAQJA » LAJME » Ministrja e Integrimit në Gjermani
Ministrja e Integrimit në Gjermani

Ministrja e Integrimit në Gjermani

Ministrja e  Integrimit Klajda Gjosha zhvilloi ditët e fundit një vizitë zyrtare në Gjermani, në fokusin e së cilës ishin çështjet e integrimit të Shqipërisë dhe kriza e emigrantëve.
Gjatë takimit me Zv. Këshilltarin e Kancelares Anxhela Merkel, për Çështjet Europiane, Franz  Neueder, ministrja Gjosha theksoi  vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me reformat që i shërbejnë procesit të integrimit, ndërsa nënvizoi  rëndësinë e avancimit me axhendën evropiane, si një sfidë e përbashkët për transformimin e vendeve te Ballkanit Perendimore. Zv. Këshilltari i  Kancelares Merkel, nga ana e tij, shprehu mbështetjen e Gjermanisë për procesin e integrimit të Shqipërisë, si dhe nënvizoi si kusht për të ecur përpara, përmbushjen e detyrimeve dhe reformave që i janë lënë vendit.
Ministrja Gjosha është takuar edhe me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Çështjet e BE-së në Bundestag, Günther Krichbaum, të cilit i ka shprehur angazhimin për përfundimin sa më të shpejtë të reformës në drejtësinë shqiptare. Ministrja Gjosha theksoi se bashkëpunimi me opozitën për procesin e integrimit ka një rol të rëndësishëm dhe vullneti e angazhimi i të gjitha palëve politike për të realizuar një  reformë të thellë në sistemin e Drejtësisë nuk ka  munguar. Z. Krichbaum, ndersa theksoi se reformat i shërbejnë transformimit të vendit, tha edhe se Gjermania do të mbështesë me ekspertizë procesin e integrimit të Shqipërisë.
Takimin e fundit në Bundestag Ministrja Gjosha e zhvilloi me  znj. Petra Ernstberger, anëtare e Bundestagut Gjerman, në fokusin e të cilit ishte kriza e emigrantëve. Ministrja Gjosha, theksoi se po merren të gjitha masat për të ndaluar këtë fenomen si edhe se është dhënë mesazhi i qartë për të gjithë shqiptarët se nuk do të përfitojnë azil në Gjermani.
Nga ana e saj, Znj. Ernstberger, u shpreh se kjo nuk është rruga e duhur për të rinjtë shqiptarë dhe se Shqipërisë i duhen të rinjtë brenda vendit. Për këtë shteti shqiptar duhet të gjejë të gjithë mekanizmat për t’u dhënë atyre shanse që ata të mos e mendojnë largimin nga vendi.