KRYEFAQJA » LAJME » Ministrja Gjosha, takim zyrtar në Hollandë
klajda gjosha ne hollande vizite zyrtare

Ministrja Gjosha, takim zyrtar në Hollandë

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori pjesë në një takim të Ministrave dhe Sekretarëve të Shtetit për Çështjet Europiane. Ky takim u zhvillua në Hollandë, e cila po mban edhe Presidencën e radhës së Këshillit të BE-së. Sfidat me të cilat përballet Europa, ishin në fokus të këtij takimi, ku u përcollën mesazhet e nevojës të një angazhimi për t’i përballuar, në mënyrë që Europa e Bashkuar të vijojë të ruajë parimet dhe vlerat e saj. Ministrja Gjosha, takoi shumë nga Ministrat e Çështjeve Europiane dhe Sekretarët e Shteteve duke bashkëbiseduar dhe ndarë me ta besimin se Projekti Europian, është një model i suksesshëm që do të provojë edhe njëherë se i bën ballë problemeve dhe krizave. Menaxhimi i krizës së refugjatëve ishte tema në këtë takim, ku theksi u vu në bashkëpunimin e të gjitha vendeve me një program të përbashkët për të adresuar problematikat dhe gjetur zgjidhjet për situatën e krijuar. Tregu i përbashkët europian, gjetja e mundësive te reja për krijimin e vendeve të punës, mirëqeverisja dhe transparenca në secilin nga vendet anëtare dhe vendet që aspirojnë të jenë pjesë e Europës se Bashkuar, ishin gjithashtu tema të rëndësishme diskutimi.