KRYEFAQJA » LAJME » Ministrja Tahiri në Bruksel për të diskutuar bllokadën e Serbisë në marrjen e kodit telefonik
Edita Tahiri

Ministrja Tahiri në Bruksel për të diskutuar bllokadën e Serbisë në marrjen e kodit telefonik

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri ka udhëtuar për Bruksel për t’u takuar me Angelina Eichhorst, drejtore për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Në këtë takim do të diskutohet për bllokadën që Serbia po i bën zbatimit të marrëveshjes për Telekomin, përkatësisht kodin shtetëror telefonik për Republikën e Kosovës, pavarësimin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës dhe revitalizimin e urës mbi lumin Ibër të Mitrovicës. “Këto marrëveshje janë arritur në kuadër të pakos së marrëveshjeve të Brukselit të nënshkruara më 25 gusht 2015, por zbatimi i tyre ka qenë shumë i kufizuar. Serbia përveçse është dashur të mos e pengojë marrjen e kodit shtetëror për Kosovën, është dashur të heqë kundërshtimet e saj ndaj vendimit të ENTSO për pranimin e KOSTT-it si anëtar i barabartë me shtetet tjera. Po ashtu nga fundi i këtij muaji, sipas marrëveshjes, Bashkimi Evropian duhet të kryejë revitalizimin e urës së Mitrovicës dhe ta hapë atë për automjete dhe këmbësorë”, thuhet në deklaratë.