KRYEFAQJA » LAJME » Miratohet projektligji i dekriminalizimit
Dekriminalizimi, kushtetuta pritet të ndryshojë në katër nene

Miratohet projektligji i dekriminalizimit

Pas afro një viti debatesh të ashpra, mazhoranca e majtë dhe opozita e djathtë, ranë dakord të miratojnë projektligjin për dekriminalizimin e politikës dhe administratës publike. Gjithshka u vendos të premten pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura të komisionit të posacëm parlamentar. Sipas këtij projekti të gjithë ata që preken do të detyrohen të lenë mandatin, apo dorëzojnë detyrën.
“Sot është një ditë e mirë për politikën shqiptare, sepse më në fund është mbyllur një proces i keqpërdorur për arsye politike në dëm të Shqipërisë sonë. Nga sot asnjë aktor politik shqiptar nuk mund të bëjë politikë në Europë duke sharë Shqipërinë si një shpellë kriminelësh”, tha deputeti socialist Taulant Balla.
“Kurdo të ndodhin zgjedhjet ky ligj do të jetë në fuqi. Ndoshta një qeveri teknike është ajo që do të garantonte zgjedhjet e shqiptarëve”, tha nga ana e tij deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, kreu i këtij komisioni.
Megjithatë edhe këtë rradhë një pjesë e “litarit është lënë jashtë”. Eshtë fjala për propozimin e demokratëve për të futur në ligj “testin e drogës”. Socialistët e konsiderojnë qesharak, por demokratët thonë se është tregues i integritetit të zyrtarit. Ky propozim duket se do të jetë i vetmi ku palët do të ndahen gjatë votimit, ndërsa konsensusi në miratimin e tij në tërësi nuk do të prishet. “Ajo që është me e rëndësishme për të gjithë është që sot askush të mos gjejë motive të zvarrisë këtë ligj dhe çdo kriminel të largohet nga funksionet publike”, tha deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
Arritja e konsensusit për projektligjin e dekriminalizimit është përshëndetur menjëherë nga raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flekenshtein. “I lumtur, komisioni ad hoc në parlamentin shqiptar votoi për “ligjin e dekriminalizimit”. Tashmë miratimi dhe implementimi. Hapa para drejt BE!” shkruan zoti Flekenshtein në Tuiter.