KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Mishel: Atentate të verbra, të dhunshme dhe të shëmtuara
Mishel: Atentate të verbra, të dhunshme dhe të shëmtuara

Mishel: Atentate të verbra, të dhunshme dhe të shëmtuara

Kryeministri belg, Çarls Mishel i cilësoi si atentate të verbra, të dhunshme dhe të shëmtuara, sulmet që prekën të martën në mëngjes Brukselin në dy zona, në hollin e aeroportit ndërkombëtar, Zaventem dhe në stacionin Maalbeek të metrosë në lagjen Evropiane. “Ne i trembeshim një atentati dhe ndodhi”, tha ai gjatë një konference për shtyp ku nuk dha hollësi për numrin e viktimave.  “Po përpiqemi të stabilizojmë situatën, por shqetësimi nuk ka përfunduar. Prioritet kemi trajtimin e të plagosurve në këto atentate, i kemi transportuar drejt spitaleve të ndryshme. Ka një numër viktimash dhe të plagosurish. E kemi çuar nivelin e sigurisë në nivelin katër, po marrim masa shtesë sigurie. Kemi përforcuar sigurinë në kufij dhe kontrollet në transportin publik. Është një ditë e zezë për vendin tonë deri në këto momente, është një tragjedi” tha kryeministri belg.
Zoti Mishel i kërkoi popullsisë të jetë e qetë dhe e bashkuar pas kësaj ngjarjeje të rëndë. “U kërkoj të gjithëve të jemi të qetë po përballemi me një sprovë që duhet ta kalojmë. Duhet të jemi sëbashku, duhet të jemi solidarë. Do vazhdojmë të ndjekim situatën minutë pas minute, duke i pasur forcat e ndihmës së shpejtë dhe policisë në vendodhje. Jemi të vendosur, do ta mposhtim këtë rrezik” tha ai. Njoftimet më të fundit bëjnë fjalë për 26 të vrarë dhe 35 të plagosur, por ende nuk ka një bilanc përfundimtar.