KRYEFAQJA » LAJME » Misioni EULEX, peng i një marrëveshje të re BE-Kosovë

Misioni EULEX, peng i një marrëveshje të re BE-Kosovë

Këshilli i BE-së ka miratuar të martën vendimin që mundëson zgjatjen e misionit të EULEX-it. Kështu ka deklaruar Maja Kocijançiç, zëdhënësja e Përfaqësuesës së Lartë për Politikë të Jashtme dhe siguri të BE-së, Federica Mogherini. Ajo ka shtuar se Mogherini do i përgjigjet letrës tashmë të dërguar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel rreth kësaj teme. “Përfaqësuesja e Lartë do t’i përgjigjet letrës së presidentit Thaçi, ashtu siç ekziston tashmë praktika për këtë gjë; ndërkohë ne po vazhdojmë punën me autoritetet e Kosovës me qëllim që të përfundojmë të gjitha përgatitjet për ripërtrirjen e mandatit të EULEX-it. Sa i përket procedurave të brendshme të BE-së, Këshilli ka miratuar sot vendimin që mundëson zgjatjen e misionit të EULEX-it”, ka thënë Kocijançiç. Zyrtarët e BE-së në Prishtinë, ndërkaq kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së djeshme bisedat me autoritetet në Prishtinë, përfshirë edhe me presidentin Thaçi për zgjatjen e mandatit të EULEX-it. Përfaqësuesit e Institucioneve të Kosovës kanë kërkuar nga BE-ja që EULEX-i të mos hapë më raste të reja për çështjet që lidhen me korrupsion dhe krimin e organizuar dhe që të gjitha këto raste t’i kalojnë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Kjo është çështja për të cilën ende nuk është arritur një marrëveshje me zyrtarë të BE-së, në këtë rast me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar. Kuvendi i Kosovës që duhet ta ratifikojë letërkëmbimin mes presidentit Thaçi dhe Përfaqësueses së Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Mogherini, tani për tani nuk ka arritur të mblidhet megjithëse mandati i misionit përfundoi mesnatën e së martës, 14 qershor. Misioni i BE në Kosovë, EULEX është ftuar nga autoritetet e Kosovës pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Mandati i tij ndërkaq u zgjat me një letër-këmbim të para dy viteve ndërmjet presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të asaj kohe në BE, Catherine Ashton. Misioni për sundimin e ligjit, deri tani ka pasur të drejtë ekskluzive trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, korrupsionit, dhe krimeve të tjera të rënda.