KRYEFAQJA » LAJME » Mjekët largohen nga Shqipëria

Mjekët largohen nga Shqipëria

Vetëm në dy vite e gjysëm Shqipërisë i janë larguar 400 mjekë, ndërsa nga janari i këtij viti rregjistrohen 100 largime. Të dhënat shqetësuese referohen nga presidenti i Dhomës së Urdhrit të Mjekut Dr. Fatmir Brahimaj. Sipas tij  këto largime po krijojnë një boshllëk të madh në sistemin shëndetësor në vend . Dr. Brahimaj thekson se ata që kanë kërkuar çertifikatën e sjelljes së mirë pranë Urdhrit, me qëllim aplikimin për punë në vendet e Europës Perëndimore,  janë mjekë të specializuar dhe jo thjesht të sapo diplomuar. Gjithashtu në sistem po vihet re edhe fenomeni i plakjes së mjekëve. Mjaft mjekë në moshë pensioni vashdojnë ende të punojnë për shkak të nevojave personale, por dhe të sistemit si pasoje e mungesave. Ndërkohë ftesës së ministrisë së shëndetësisë për trajtim me bonus prej 100 mijë lekësh të reja, përveç pagës, për të gjithë ata mjekë specialistë që do të shkojnë të punojnë në rrethe, i janë përgjigjur vetëm 7 nga 300 që janë nevojat në rang vendi. Destinacioni i preferuar, sipas kreut të Dhomës së Urdhrit të Mjekëve, për shumicën e të larguarve është Gjermania.