KRYEFAQJA » LAJME » “Mjeshtër i Madh” për gazetarin e RTSH Agron Çobani

“Mjeshtër i Madh” për gazetarin e RTSH Agron Çobani

Në 4-vjetorin e ndarjes nga jeta, gazetari dhe drejtuesi i njohur i RTSH Agron Çobani, është vlerësuar nga presidenti i republikes me titullin “Mjeshtër i Madh”. Motivacioni i zgjedhur nga zoti Nishani, është për përkushtim ndaj punës për dekada të tëra, për një kontribut të veçante në pasurimin intelektual dhe historik të vendit, shoqërisë dhe kombit shqiptar.
Familjarë, të afërm miq dhe kolegë, kanë ndarë mes tyre kënaqësinë e vlerësimit të gazetarit Agron Çobani, i cili me punën dhe përkushtimin e tij ka lënë gjurmë në arkivin e Radiotelevizionit Shqiptar. Mes emocionesh, presidenti i republikes Bujar Nishani i dorëzoi titullin bashkëshortes së gazetarit.
Gazetari Agron Çobani lëvroi të gjitha gjinitë e publicisitikës radiotelevizive, që nga lajmi, kronika, reportazhi e dokumentari. Një kontribut të veçantë ai pati edhe në organizimin dhe menaxhimin e Radiotelevizionit Shqiptar, përgjatë periudhës së të vështirë të tranzicionit kur ai e drejtoi këtë institucion, fillimisht si Drejtor i Përgjithshëm dhe me pas si Drejtor i Televizionit Shqiptar. Përvojën e tij shumë vjeçare gazetari Agron Çobani e ka sintetizuar në disa libra, më i njohuri prej të cilëve është “Ju flet Tirana”.