KRYEFAQJA » LAJME » Mogherini në parlament: Silleni Shqipërinë në BE! Këtë detyrim ia keni Shqipërisë!
Mogherini në parlament: Silleni Shqipërinë në BE! Këtë detyrim ia keni Shqipërisë!

Mogherini në parlament: Silleni Shqipërinë në BE! Këtë detyrim ia keni Shqipërisë!

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Frederica Mogherini i ka kërkuar politikës shqiptare të miratojë sa më parë reformën në drejtësi, duke i hapur rrugë nisjes së bisedimeve mes BE dhe Shqipërisë. “Silleni Shqipërinë në BE! Këtë detyrim ia keni Shqipërisë! Më lejoni t’ju them se kështu i detyroheni  gjithë Europës” ishte thirrja që përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini u bëri deputetëve shqiptarë në parlament, të cilët ishin mbledhur në një seancë të posaçme. Kjo ishte dhe ndalesa e parë e vizitës së zonjës Mogherini gjatë vizitës së saj në Tiranë. “Ne e dimë që duhet reformë e thellë tërësore dhe gjyqësore. Nuk duhet të harrojmë se përse është kjo reforma në gjyqësor” tha shefja e diplomacisës së BE. “Kjo refomë do hapë rrugën për rekomandim nga KE për të nisur negociatat që vendet anëtarë të marrin një vendim për këtë cështjen” shtoi ajo. “Duke u bazuar tek Venecia bëni gjënë e duhur miratoni atë. Bëni reformën në drejtësi” u kërkoi zonja Mogherini ligjvënësve shqiptarë. “Nuk jemi këtu mësues apo nxënës, por duhet të punojmë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Janë shumë të qarta për të gjithë ne. Së bashku duhet të gjejmë zgjidhje që nuk mund të bëhen vetëm” tha më tej ajo.
Duke ju referuar situatës aktuale në rajonin e Ballkanit, shefja e politikës së jashtme të BE tha para parlamentit shqiptar se “Sfidat që po kalon rajoni bën të qartë që duhet të jemi bashkë”. “Shqipëria ka ecur përpara. Qytetarët kanë ëndrra aspirate dhe shpresa më të mëdha”, tha ajo. “Ndjehem shumë e afërt me Shqipërinë, jo vetëm sepse vendi juaj është shumë afër me vendin nga vij unë, por sepse ky vend i përket Evropës. Duhet të gjeni vendin tuaj brenda BE-së. Kjo është po aq shumë në interesin tuaj por edhe në interesin tonë” tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini para deputetëve shqiptarë.

Fjala e plotë e përfaqësueses së lartë e BE-së, Frederica Mogherini në parlamentin shqiptar

Ndoshta do të ndjeni pak emocione në zërin tim se përveç Parlamentit italian ku kam shërbyer për 7 vite me radhë dhe ndoshta dhe në një rast tjetër, kjo është hera e parë që unë flas përpara një Parlamenti Kombëtar dhe kjo për mua është shumë gjë e veçantë. Jam vërtet shumë e lumtur që gjendem me ju këtu në Tiranë sot. Kishte shumë kohë që e kisha planifikuar këtë vizitë dhe disi si mikeshë, tamam sikur po vija në një ribashkim të familjes. Ndjehem shumë e afërt me Shqipërinë jo vetëm sepse vendi nga ku vi unë është aq afër me bregdetin tuaj, natyrisht dhe për këtë arsye, por jo vetëm, për këtë.

Ky vend dhe ky rajon i përket Europës, ne ndajmë të njëjtën histori, kulturë dhe të njëjtën të ardhme. Për 25 vitet e shkuara gjithmonë kam besuar se ju duhet të gjeni vendin tuaj brenda BE. Si Ministre italiane dhe si përfaqësuesja e lartë e BE unë gjithmonë kam menduar dhe kam pasur ndjesinë se kjo gjë është po aq shumë në interesin tuaj sa çështë dhe në interesin tonë dhe se sfida dhe përgjegjësia e brezit tonë, gjeneratës sonë është që ta bëjmë këtë gjë të mundur që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë në BE. Kjo pyetje do të na bëhet ne në të ardhmen, jo vetëm mua, por edhe ju, të gjithë Ministrave që janë ulur këtu pas meje.

A janë vendet e Ballkanit Perëndimor më stabël, më të begata dhe më të pajtuara me njëra-tjetrën seç kanë qenë, a janë më afër të të qënurit pjesë e BE? Ne do të na bëhen këto pyetje sepse ne vërtet që mund të sjellim ndryshimin për këtë gjë. Ne mund të punojmë për shumë gjëra në vendin tonë dhe shumë larg, por kemi një gjë shumë të qartë në vetëvete që në Ballkanin Perëndimor BE mund ta bëjë ndryshimin dhe që sigurisht vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vërtet një vlerë shumë të madhe në jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Kjo është një gjë që vërtet ndodhet në duart tona, në duart tuaja në veçanti, në rastin e Shqipërisë. Është një përgjegjësi të cilën ne ndajmë, të cilën ne duhet ta respektojmë siç Edi, zoti Kryeministër, më lejoni zoti Kryeministër, që siç e keni thënë kohët e fundit se rrugëtimi europian nuk ka të bëjë me formula të gatshme të cilat mund ose duhet t’ju imponohen ju apo një vendi tjetër me një qasje nga lart-poshtë.

Sot unë dëshiroj të flas për këtë gjë, për këtë rrugë që ne mund dhe unë besoj që ne duhet ta bëjmë sëbashku. Ka shumë sfida të cilat ne i ndajmë si europianë dhe askush prej nesh nuk i ka të gjitha përgjigjet e duhura dhe që na duhen në këto kohë të vështira. Nuk jemi në shkollë, ndonjëherë përdorim fjalë të cilat nuk janë fjalët e duhura për kohën tonë dhe respektin që ne ja kemi borxh njëri-tjetrit. Nuk kemi këtu mësues apo nxënës. Ne duhet që sëbashku të punojmë për përgjigje të përbashkëta për probleme të përbashkëta të cilat janë shumë të vështira për të gjithë ne. Siguria, radikalizimi, migrimi, shpëtimi i jetëve të kaq shumë refugjatëve, mbrojtja e shoqërive tona, punësimi, rritja ekonomike, e tashmja, e ardhmja e të rinjve tanë.

Janë shumë të qarta të gjitha këto për të gjithë ata dhe për të gjithë ne që siç e themi ne në italisht dhe ju ndoshta keni të njëjtën shprehje, pra: Që të gjithë gjendemi në të njëjtën varkë, në të njëjtën anije. Ne e kemi diskutuar këtë kohët e fundit me Ministrin tuaj të Jashtëm dhe Ministrat e tjetër të Jashtëm në Amsterdam në takimin që patëm atje sesi sëbashku mund të gjejmë zgjidhje për problemet të cilat asnjëri prej nesh nuk mund ti trajtojë më vete. Sfidat që ky rajon po kalon sot e bën fare të qartë që ne duhet të jemi sëbashku në këtë sfidë, kemi nevojë për njëri-tjetrin, duhet të punojmë sëbashku dhe duhet të japim rezultate sëbashku. Vetmë duke qenë sëbashku ne mund të japim rezultate për të mirën e qytetarëve tanë.

Këto vite Shqipëria ka lëvizur, ka ecur përpara. Përpara 25 vitesh Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara në botë dhe ishte po ashtu vendi i tretë më i varfër në botë. Më lejoni të tregohem pak jo zyrtare në atë që do të them, ndoshta ju kujtohet një film i cili ka dalë para disa vjetësh ku në Uashington një ekip Presidencial po bënte sikur ekzistonte një krizë dhe “zgjodhi”Shqipërinë sepse askush nuk e njihte. Kjo nuk është e vërtetë as për BE atëherë dhe natyrisht jo për vendin nga ku vi unë. Por sot ky film do të ishte i pamundur as për tu imagjinuar sepse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE. Ky vend, vendi juaj, reputacioni ndërkombëtar dhe jeta e qytetarëve tuaj ka ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe qytetrarët e Shqipërisë kanë ëndrra shumë më të mëdha, dëshira, aspirata dhe shpresa më të mëdha seç kanë pasur dhe kjo është gjë e mirë, është gjëja më e mirë që mund të ketë dikush, shpresa, aspirate, ëndrra.

Dhe këto dëshira dhe shpresa vënë një përgjegjësi shumë të madhe tek të gjithë ne. Jo vetëm tek ju por dhe tek ne, përgjegjësia për të qenë të ndershëm, për të qenë të qartë kur shikojmë rezultatet që nuk janë arritur. Shumë rezultate janë arritur, por po ashtu kur shikojmë të ardhmen. Pesë prioritetet kyçe ju i njihni jam e sigurt dhe i dini përmendësh. Raporti ynë për Shqipërinë në 2015 ka treguar se në një sërë fushash ka ende shumë punë për të bërë, por po ashtu edhe ritmi i reformave është i qëndrueshëm dhe është mbajtur. Një sërë veprimesh të mëdha janë ndërmarrë sa i përket reformave të ndryshme në energji, luftën kundër informalitetit dhe edhe ne kemi përvojë në shumë shtete anëtare. Ekonomia tani po rritet, ndoshta jo aq shpejt sa do të donin qytetarët shqiptarë.

Por këto nuk janë kohë të lehta për gjithë kontinentin tonë dhe gjithë botën dhe ekonomitë tona janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Më shumë punë duhet bërë dhe është e nevojshme për konkurueshmërinë për të krijuar punë dhe një ambjent më të mirë dhe miqësor ndaj biznesit për të thithur kapital në Shqipëri. Axhenda jonë e konjektivitetit mund të ndihmojë dhe mbështesë punën tuaj për disa nga këto objektiva. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të rilidhen në të gjitha mënyrat e mundshme së pari me njëri-tjetrin por dhe pjesën tjetër të Europës. Investimi në infrastrukturë është shumë i rëndëishëm, por investimi më i mirë që duhet bërë është me të rinjtë, tek të rinjtë. Ne duhet ta bëjmë këtë me të rinjtë këtu, por dhe BE.

Rritja e vërtetë ekonomike ka nevojë për njerëz që kanë kapacitete dhe dëshirën të punojnë shumë dhe të ndryshojnë në çdo gjë që natyrisht të kemi projektet e duhura për këto ndryshime. Unë e di që këtu në Shqipëri ka shumë të rinj shqiptarë që punojnë shmë, të cilët kanë nevojë vetëm për një shans për të treguar se çfarë vlere kanë. Kjo do të thotë se kemi nevojë për shkolla më të mira, trajnim profesional dhe arsim të lartë. Vetëm këtë vit BE do ti japë Shqipërisë 30 milion euro në mbështetje buxhetore për krijimin e vendeve të punës, kryesisht për trajnimin profesional. Përdorini të gjitha këto mundësi dhe përdorini ato siç duhet sepse ky është investimi më i mirë i mundshëm jo vetëm për të ardhmen e vendit.

Ne po punojmë tashmë së bashku dhe po punojmë mirë për shumë gjëra të ndryshme. Por ka ardhur koha që  të kalojmë në një nivel tjetër. Ju e doni këtë gjë, ne e duam këtë gjë. Të dyja palët tona kanë nevojë për këtë gjë. Për ta bërë këtë ne e dimë që duhet një reformë e thellë dhe tërësore e gjyqësorit. Kjo është gjëja numër një në axhendë. Nuk duhet të harrojmë se për çfarë është kjo reformë në gjyqësor. Unë vij nga një vend që i di këto gjëra, i kemi përjetuar së pari. Kjo ka të bëjë me barazinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë të cilët duhet të trajtohen në mënyrë të njëjtë pavarësisht se cili është statusi i tyre social, mbiemrit apo besimit të tyre. Ka të bëjë dhe me ekonominë, me kompanitë tuaja. Të gjitha pra duhet të binden të njëjtat rregullave. Ka të bëjë me investitorët e huaj, të cilët duhet të kenë besim te ky vend dhe te institucionet e veta në maksimum. Ka të bëjë dhe me demokracinë dhe me qytetarët tuaj sepse ata duhet të kenë besim të plotë te shteti dhe te institucionet. Duhet ta dinë që suksesi i tyre do të varet vetëm te idetë e mira dhe te puna e madhe që do të bëhet. Për këto arsye ne i japin një rëndësi kaq të madhe kësaj reforme. Por kjo reformë do të hapë rrugën për një rekomandim nga Komisioni Europian për të filluar këto negociata dhe që shtetet anëtare të marrin një vendim pozitiv për këtë çështje. Mund të jetë një fillim i ri. Fillim i një kapitulli të ri për historinë tonë të të ardhmes. Të ardhme të cilën ne e ndajmë me njëri tjetrin, të ardhme të cilën ne japim rezultatet më të mira. Kjo reformë që ne po diskutojmë është një nga reformat më të plota, më tërësore që është propozuar ndonjëherë në vendet e zgjerimit. Më lejoni që t’ju falenderoj të gjithëve për këtë gjë, ligjvënësit, ekspertët e të gjitha sfondeve të ndryshme të cilët janë përfshirë në këtë punë mbresëlënëse e cila është bërë deri tani. Komisioni i Venecias do të japë opinionin e vet përfundimtar për të gjitha kontributet qqë kanë marrë dhe kanë propozuar! Bëni gjënë e duhur, miratojeni reformën! E di që të gjitha palët, opozita, qeveria duan që Shqipëria të ecë përpara në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian dhe e di fare mirë që qytetarët e Shqipërisë presin që ju të bëni pikërisht këtë gjë. Ndaj bëjeni!

Unë po ashtu e di që politika juaj vuan nga një mungesë e thellë e besimit dhe dialogut ndërmjet partive. Unë vij nga një vend i cili ka përvojë në këtë fushë. Të pranosh kundërshtarin tënd si aktor legjitim dhe jo si armik me të cilin duhet luftuar. Kjo është thelbësore për çdo demokraci. Megjithatë unë e di që është tmerrësisht e vështirë pët tu arritur. Jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë ne. Për shumë kohë në vendin tim, në Itali ne kemi vuajtur të njëjtën sëmundje. Debati politik shumë shpesh është dominuar nga ofendime dhe jo argumente për tu dhënë. Kështu që e kuptoj. Por më lejoni t’ju them shumë qartë se ka interesa të cilat janë më kyçe, më thelbësore, më jetike se sa ato të partive tuaja. Këto janë interesat e vendit tuaj, e popullit tuaj. Më lejoni t’ju them që në shumë pjesë të Europës sot debati ynë politik nuk është në formën e tij më të mirë të mundshme kështu që nuk është se po ju predikojmë nga një pozitë ku ne i dimë të gjitha përgjigjet por është një gje me të cilën duhet të përballemi.

 

Para Mbrapa
Federica Mogherini me Ilir Meten
Federica Mogherini ne Parlament
Federica Mogherini ne Parlament 2 

Federica Mogherini me Edi Ramen 

Rama: Nuk do të hapim kufijtë, por jemi gati marrim pjesën tonë të përgjegjësisë 

Federica Mogherini me Lulzim Bashen  

Federica Mogherini me Lulzim Bashen 2  

Federica Mogherini 
Para Mbrapa