KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Monger” baleti i rekordeve

“Monger” baleti i rekordeve

“Monger”, një prej pjesëve koreografike me një rekord vëniesh skenike në Izrael dhe Amerike, rikthehet në skenën shqiptare. Këtë fundjave “Monger” vjen në trupat dhe energjinë e balerinëve shqiptarë Alisa Gjoni, Rovena Shqevi, Ledia Sulaj, Dion Gjinika, Julind Dervishi, Besi Skura, Anxhelo Muçollari, Erald Zela.

“Monger” një balet nga koreografi izraelito – amerikan Barak Marshall me elementë të theksuar teatralë, është vënë për herë të parë në skenë në vitin 2008 duke hapur Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tel Aviv.

“Monger” do të thotë “shitës” dhe fabula e gjithë kësaj shfaqjeje përmblidhet në këtë fjalë. Tregon historinë e disa shërbyesve të cilët e gjejnë veten të izoluar në bodrumin e shtëpisë së një zonje abuzive. Vetë zonja nuk shfaqet asnjëherë në skenë por simbolizohet nga një zile e cila tingëllon duke vënë në lëvizje shërbyesit sipas dëshirës së saj. Lufta për të mbijetuar ngre çështje të pushtetit, vullnetit të lirë dhe kompromisit. Që prej 2008-ës krijimet e Barak Marshall, janë prezantuar mbi 1000 herë në Izrael, Europë, Azi dhe Amerikën e Veriut. Barak njihet edhe si këngëtar, kryesisht i motiveve të Lindjes së Mesme dhe muzikës klasike. Ai ka interpretuar si solist me grupet Yo-Yo Ma dhe the Silk Road Project.