KRYEFAQJA » LAJME » Monitorimi: TVSH ndiqet përditë nga 31 përqind e shqiptarëve

Monitorimi: TVSH ndiqet përditë nga 31 përqind e shqiptarëve

Për herë të parë Televizioni Shqiptar ka një raport shkencor mbi cilësinë e ofertës televizive dhe reputacionin e tij. Monitorimi është kryer nga Departamenti i Komunikimit dhe Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, me drejtues shkencorë dy profesorët e gazetarisë, Artan Fuga dhe Mark Marku. Ai ishte pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar mes këtij departamenti me Drejtorinë e Përgjithshme të Radio-Televizionit Shqiptar, dhe përfshinte monitorimin e periudhës nga 1 janari deri në 31 mars të vitit 2016.
Sipas profesor Artan Fugës, janë mijëra të dhëna që ndjekin raportin dhe ekspertizën që ka bërë Departamenti i Komunikimit dhe Gazetarisë për dixhitalizimin e trasmetimeve tokësore dhe studime të tjera.
Nga intervistimi i 861 vetëve në gjithë territorin kombëtar rezulton se 31% e tyre e ndjekin përditë TVSH, 49% e ndjekin 2-3 herë në javë, 9% e tyre 2-3 herë në muaj, ndërsa 11% e tyre nuk e ndjekin asnjëherë. Profesor Mark Marku tha se “duket sikur RTSH është jashtë konkurrencës, por në fakt ne na rezulton nga të dhënat se RTSH është një konkurrent në tregun e mediave audiovizive në Shqiperi. Për fat të keq imazhi i tij, përcaktohet nga konkurrentët” shtoi zoti Marku.
Në programet më të ndjekura në vend të parë renditet edicioni i lajmeve me 71% të shikueshmërisë. Teleshikuesit e tij janë më tepër moshat e rritura se sa ato të reja. Në vend të dytë renditet Festivali i Këngës në RTSH me 65%, emisioni “Trupi dhe Shëndeti” në vend të tretë me 61% apo filmat shqiptarë para viteve 90 me 51% e me radhë.
Drejtori i Përgjithshëm Thoma Gëllçi pranoi se shumë pak nga përmbajtja e programeve të RTSH është gazetareske, por tha se misioni i këtij institucioni për të informuar, edukuar dhe fuqizuar është i gjithi i lidhur ngushtë me problemet sociale me problemet e popullit.