KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Moody’s: Sfida kryesore e Shqipërisë mbetet niveli i lartë i borxhit
Moody’s: Sfida kryesore e Shqipërisë mbetet niveli i lartë i borxhit

Moody’s: Sfida kryesore e Shqipërisë mbetet niveli i lartë i borxhit

Agjencia e vlerësimit të kreditimit, Moody’s vlerëson se sfida kryesore e Shqipërisë mbetet niveli i lartë i borxhit, i cili në fund të vitit 2015 parashikohet të jetë 73%, për të rënë më pas në 70% në 2016.

“Ndërsa kandidatura e Shqipërisë në BE ka nxitur luftën kundër korrupsionit dhe përparimet në reformën e sektorit publik, përshtatja institucionale me standardet e BE-së mbetet ende e tejzgjatur dhe ne presim që mjedisi i biznesit të mbetet i kufizuar”, thotë Evan Vvohlman, as.zv. president, analist dhe autori i raportit të Moody’s.

Sfida kryesore e Shqipërisë mbetet niveli i lartë i borxhit, dhe kërkesa e vazhdueshme për huamarrje e qeverisë, dhe pse rreziqet e rifinancimit janë zbutur pas marrjes së 450 milionë eurove si eurobond një muaj më parë. Raporti vëren se treguesit fiskalë u përkeqësuan ndjeshëm para zgjedhjeve parlamentare të 2013. “Megjithatë ne presim efekte pozitive nga integrimi në BE,e cila ka provuar të jetë një guidë e rëndësishme e hyrjes së investimeve të huaja direkte, mes vendeve për anëtarësim në rajon”, shton Vvohlman.

Agjencia vlerëson pozitivisht punën e qeverisë shqiptare me institucionet ndërkombëtare, si FMN-ja apo Banka Botërore. Këto marrëveshje kanë për qëllim përmirësimin e strukturës së brendshme të borxhit, i cili është i kufizuar nga një maturi e shkurtër mesatare dhe një mbështetje e lartë në sektorin e brendshëm bankar, i cili në vetvete është i ngarkuar me volumin e madh të kredive me probleme.

Për më tepër, vlerëson raporti, vazhdon reforma në sektorin energjetik, me mbështetjen e Bankës Botërore, dhe kjo është thelbësore për përmirësimin e klimës së biznesit, dhe parandalimin e situatave të tilla, me borxhe të pashlyera ndaj qeverisë.

Komentet e Moody’s vijojnë më tej se progresi i suksesshëm përsa i përket reformës strukturore pozitive të kredisë, veçanërisht trajtimi i korrupsionit, forcimi i të drejtës së pronës dhe sistemit gjyqësore, do të sjellë përmirësim të konkurrencës dhe do të zgjerojë tërheqjen e biznesit.

Raporti i Moody’s, i titulluar “Qeveria e Shqipërisë” është një rishikim për tregjet dhe nuk përbën një veprim vlerësimi.

(Marrë nga ATSH)