KRYEFAQJA » LAJME » “Mos gjuaj, por duaj”, fushatë për mbledhjen e armëve pa leje
"Mos gjuaj, por duaj", fushatë për mbledhjen e armëve pa leje

“Mos gjuaj, por duaj”, fushatë për mbledhjen e armëve pa leje

Autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë, do të nisin një fushatë në të gjithë territorin e vendit për të mbledhur armët dhe armatimet pa leje. Sllogani i zgjedhur është “Mos gjuaj, por duaj” bëri të ditur me këtë rast ministri i brendshëm Saimir Tahiri. “Nuk është detyrë e lehtë, por fitorja më e madhe do të jetë edhe sikur të bindim dhe 5 njerëz në çdo qytet të mos mbajnë armë pa leje” tha zoti Tahiri. Sipas tij fushata synon vizitat në çdo shtëpi për të komunikuar rrezikun e armëve dhe për të kirjuar shtegun ligjor të braktisjes së armëve. “Do të bëjmë një fushatë pozitive për të bindur qytetarët e të rinjtë të mos bëhen viktima të pasjes së një arme” tha zoti Tahiri.
Nuk është hera e parë që autoritetet shqiptare ndërmarrin fushata të tilla ndërgjegjësuese për dorëzimin e armëve pa leje, si dhe kundër përdorimit të armëve në përgjithësi. Shqetësimi lindi në vitin 1997, kur gjatë trazirave civile që pasuan rënien e skemave piramidale, u shpërthyen shumë depo ushtarake dhe shumë armë e armatime, rreth 650 mijë, ranë në duart e popullatës civile. Prania e tyre ka spjeguar edhe nivelin e lartë të kriminalitetit në vend, rreth 10 mijë të vrarë brenda 20 vjetëve të fundit, por edhe aferave të jashtëligjshme të shitblerjes së armëve. Disa fushata të ndërmarra vit pas viti, ashpërsimi i ligjeve për mbajtjen, përdorimin dhe tregëtinë e armëve pa leje, ka çuar në dorëzimin e një numri të madh armësh nga popullata, por shqetësimi vazhdon të jetë i pranishëm. Mendohet se rreth 90 mijë armë janë ende në qarkullim, kontigjent për përfshirjen në krime ose tregëtinë e jashtëligjshme të armëve.