KRYEFAQJA » LAJME » “Mos ma prek Valbonën” dje në Luginën e Valbonës, sot vjen në Tiranë
“Mos ma prek Valbonën”-nga Eda Zari&Elina Duni

“Mos ma prek Valbonën” dje në Luginën e Valbonës, sot vjen në Tiranë

Mesditën e 29 tetorit nisi në Valbonë koncerti protestë me temë “Mos ma prek Valbonën”,  kundër ndërtimeve të HEC-eve në një nga zonat më të bukura turistike në Alpet shqiptare. Iniciatore kanë qenë këngëtaret  Elina Duni dhe Eda Zari, mjaft të njohura në skenat europiane. Ato janë ngjitur bashkë në skenë për të protestuar me këngë kundër ndërtimit të hidrocentraleve që sipas tyre “rrezikojnë shkatërrimin e zonës”. Dy këngëtaret i kanë bërë thirje të gjithë artistëve shqiptarë e të huaj, që dashurojnë Shqipërinë, t’i bashkohet kësaj nisme. Edhe aktivistët e pranishëm në këtë koncert protestë janë në kundërshtim të ndërtimit të HEC-eve në lumin e Valbonës dhe në kundërshtim të ligjit për importin të mbetjeve. Në koncertin “Mos ma prek Valbonën” pati një pjesëmarrje masive të aktivistëve të shoqërisë civile jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova, Maqedonia e Mali i zi Zi. Një tjetër koncert protestë do të zhvillohet pasditen e së dielës në kryeqytet në orën 18:00 përballë Piramidës.

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama, duket se është munduar të qetësojë të gjithë kundërshtarët e ndërtimeve të HEC-eve në zonën e Valbonës. “Në Valbonë do të ketë vetëm 2 HEC-e ndërsa për 9 të tjera nuk është dhënë drita jeshile” tha ai të enjten në seancën e përjavshme parlamentare. “Po ju sqaroj se kemi mbajtur rigorozisht në vëmëndje dhe procedurën për Valbonën dhe dy HEC-e, vetëm dy, jo 11, kanë marrë dritën jeshile për shkak pamundësie të plotë ligjore për të bërë anulimin” tha ai. Sipas zotit Rama HEC-et janë kaluar në filtra njëri pas tjetrit për të garantuar me ekspertizë ndërkombëtare standarde mjedisore dhe cilësi projektimi inxhinierik të njëjtë me ata që vazhdojnë të ndërtohen në Evropën e Veriut. ” Për publikun, kur dëgjoni hidrocentrale në Valbonë lidhur me këto dy projekte sepse 9 të tjerave nuk u është dhënë drita jeshile, mos parafytyroni diga. Nuk do të ndërtohen diga. Nuk do ndërtohen strukturat që secili i imagjinon kur flitet për një hidrocentral sepse teknologjia e përdorur është krejt tjetër, dhe peisazhi është krejtësisht i pacënuar. Vetëm dy nga 15 janë dy kulla tradicionale të asaj zone” tha kryeministri socialist.