KRYEFAQJA » LAJME » Mospranimi në UNESCO, Kosova: Nuk dekurajohemi!

Mospranimi në UNESCO, Kosova: Nuk dekurajohemi!

“Nuk dekurajohemi!”. Ky është deklarimi i përbashkët i zyrarëve më të lartë kosovarë, pasi Kosova nuk arriti të pranohej në UNESCO. “Sot u bë e qartë që ne, që shteti ynë gëzon përkrahjen e palëkundur të botës së lirë dhe demokratike. Jam e inkurajuar me 92 shtete që përkrahën Kosovën dhe vizionin tonë. Vota e tyre në përkrahje të Kosovës është ripërtëritje e premtimit që ja kemi dhënë vetes dhe miqve tanë” shkruajti me këtë rast presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga. “Ne me ngulm po ndërtojmë një vend demokratik dhe ne do të vazhdojmë kontribuojmë në paqe afatgjate në rajon dhe më gjerë. Kosova është krenare me të arriturat e saj në krijimin e një shteti gjithëpërfshirës dhe përkushtimin e qytetarëve të saj për të ruajtur trashëgiminë e vet kulturore dhe diversitetin e saj” u zotua zonja Jahjaga.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa, ka theksuar se mungesa e mbështetjes së mjaftueshme për anëtarësimin në UNESCO kësaj radhe, do t’i nxisë institucionet e shtetit të forcojnë zbatimin e parimeve themeltare që janë mbrojtja e kultivimi i vlerave të përbashkëta dhe diversitetit si dhe kontributi për paqen dhe sigurinë.“Kosova do të vazhdojë të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës dhe kulturës, duke çuar përpara respektimin universal për drejtësi, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut, së bashku me liritë themelore të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara” tha zoti Mustafa.
Kryeparlamentari Kadri Veseli, në një postim në Fejsbuk ka shkruar Kosova u dëshmua se ka miq të mëdhenj gjithandej botës, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe demokracitë e fuqishme të Evropës Perëndimore.“Rezultati i sotëm në UNESCO nuk bën kurrsesi të na dekurajojë, përkundrazi duhet të na motivojë që të jemi edhe më këmbëngulës në të drejtën tonë të patjetërsueshme për të qenë anëtar me të drejta të plota në bashkësinë ndërkombëtare” shkruan zoti Veseli.