KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Moti i keq në SHBA: Bilanci i fundit flet për 28 të vdekur
Moti i keq në SHBA: Bilanci i fundit flet për 28 të vdekur

Moti i keq në SHBA: Bilanci i fundit flet për 28 të vdekur

Stuhia që goditi bregun lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kaloi, tani ka ardhur koha që të llogariten dëmet, që sipas ekspertëve mund të arrijnë deri në 850 milionë dollarë, dhe jo me pak dëme për prodhimin e brëndshëm bruto të SHBA-së. Gjatë gjithë bregut lindor janë të paktën 28 viktima, pjesa më e madhe e shkaktuar nga incidentet rrugore. Tragjedia më e paarsyeshme ndodhi në Nju Xhersi, ku një nënë bashkë me të birin një vjeçar kanë vdekur në makinën e tyre për shkak të oksidit të karbonit paso bora kishte bllokuar tubin e shkarkimit të makinës.

Bregu lindor i Shteteve të Bashkuara është gdhirë e mbuluar nga bora pasi kalimi i stuhisë Jonas, ka arritur nivele rekord në shumë nga 12 shtetet e goditura. Por e keqja duket se ka kaluar dhe në Nju Jork, qyteti më i goditur në orët e fundit, ka dalë përsëri dielli. Ndalimi i qarkullimit për mjetet publike dhe ai i makinave private është hequr dhe tani po llogariten dëmet.

Mijëra fluturime janë ndaluar në qytetet kryesore dhe ka patur shumë probleme në qarkullimin rrugor. Tre të vdekur në Nju Jork: dy në Kuins dhe një në Stejten Ailand. Bëhet fjalë për persona të goditur nga infarkti pasi për orë të tëra po hiqnin borën para banesave të tyre. Gjashtë të vdekur janë në Karolinën e Veriut si pasojë e incidenteve rrugore të shkaktuara nga akulli. Në Uashington D.K vazhdon të bjerë borë e cila ka arritur një trashësi prej 22 centimetrash duke shkaktuar probleme në tre aeroportet ku shikueshmëria është shumë e ulët.

Pentagoni ka dërguar mbi 2.300 persona të Rojes Kombëtare në 12 shtetet e bregut lindor amerikan që gjendet në vështirësi. Numri më i madh i ushtarëve, 490, po punojnë në Virxhinia, ku në disa zona ka rënë më shumë se një metër borë.