KRYEFAQJA » LAJME » Moto GP, Doviciozo, “Mbreti” i shiut në Malajzi
moto-gp-malajzi-doviciozo

Moto GP, Doviciozo, “Mbreti” i shiut në Malajzi

9 fitues të ndryshëm në këto 17 gara, teksa ka mbetur edhe një e fundit, ajo e Valencias, për të kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm. Ky është bilanci i jashtëzakonshëm, madje historik, i nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, që njihet si “Moto Xhi-Pi” dhe vazhdon të dhurojë emocionet të shumta në rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Sot në mëngjes, transmetuesi publik ka sjellë drejtpërdrejt emocionet e garës së parafundit të sezonit, asaj të Malajzisë, që ka kurorëzuar Andrea Doviciozon si fitues. Në fakt, italiani i “Dukati”-t, i cili ka gjetur fitoren e dytë në karrierë vetëm pas 7 vitesh, që nga ai triumf i 2009-s në “Donington Park”, ka qenë “mbreti i shiut” në pistën e Sepangut, ku një numër pretendentësh u rrëzuan në asfaltin e lagësht. Në fakt, gara e së dielës, e kushtëzuar nga shiu që është i zakoshëm për këtë periudhë të vitit në Malajzi, ka parë shpesh kryesimin të ndërrojë duar, por në fund, ka qenë italiani i “Dukati”-t ai që ka mbërritur i pari në finish, duke lënë prapa, bashkëatdhetarin e tij të “Yamaha”-s, Valentino Rosin, i cili sidoqoftë ngushëllohet me sigurimin edhe matematikisht të titullit të nënkampionit për këtë sezon. Tanimë fjalën e ka epilogu i Valencias.