KRYEFAQJA » LAJME » MPB: Situata nga përmbytjet po stabilizohet
MPB: Situata nga përmbytjet po stabilizohet

MPB: Situata nga përmbytjet po stabilizohet

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi të premten se situata e zonave të prekura nga moti i keq i dy ditëve të fundit është duke u stabilizuar. Sipas këtij njoftimit, të gjithë ujërat sipërfaqësore që erdhën si rezultat i prurjeve të shumta dhe daljes së lumenjve jashtë shtratit të tyre janë tërhequr. Në pjesën më të madhe të tokave bujqësore dhe oborret e banesave kanë mbetur vetëm aluvione dhe inerte. Strukturat përgjegjëse po bëjnë gjithçka është e mundur për të lehtësuar rrugët dhe largimin e ujërave, si dhe sigurimin e strukturave   mbrojtëse, argjinaturave, etj.
Në të gjithë qarkun e Fierit situata po shkon drejt përmirësimit. Në zonën e njësisë administrative Çermë, ujrat  janë tërhequr, përveç grykëderdhjes të lumit Shkumbin, ku argjinatura fundore vazhdon të jetë e pambyllur. Në këtë zonë ka rreth 120 banesa të përmbytura nga Njësia Administrative Çermë dhe Tërbuf. Në rrethin e Lushnjës uji ka filluar të tërhiqet në shtratin e lumit dhe tokat bujqësore kanë prezencë vetëm të aluvioneve. Po punohet për hapjen e tombinave të rrugës kombëtare pranë fshatit Çermë. Të gjitha familjet që ishin në rrezik janë të evakuara.
Situata në qarkun e Durrësit është përmirësuar dhe niveli i ujërave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm ka shkuar në shtratin e tyre. Në Bashkinë e Shijakut dhe të Sukthit ka vazhduar puna nga fadromat e ushtrisë  për pastrimin e rrugëve të qytetit nga aluvionet dhe inertet që solli përmbytja. Janë shpërndarë gjithashtu ndihma për rreth 250 familjet e evakuuara. Aktualisht hidrovoret funksionojnë normalisht.
Në qarkun e Tiranës situata është përmirësuar dhe po shkon drejt normalitetit. Gjatë orëve në vazhdim prurjet në lumin e Lanës janë ulur dhe ujërat sipërfaqësore janë larguar nga disa rrugë dhe lagje të Bashkisë të Tiranës.
Në njësinë administrative Gosë, situata po shkon drejt përmirësimit. Problem  mbeten tokat bujqësore përgjatë lumit Shkumbin, ku si pasojë janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme tokë bujqësore në fshatin Kalush. Hidrovorët funksionojnë normalisht dhe me kapacitet të plotë. Në të gjithë qarkun nuk ka banesa me prezencë uji. Gjithashtu ujërat janë drejt   tërheqjes së plotë edhe nga tokat bujqësore.
Në qarkun e Elbasanit, aksi rrugor Cërrik – Gramsh është i pakalueshëm sepse në pjesën e poshtme është rritur nivelii liqenit të H/C të Banjës, por funksionon rruga e sipërme Llixhat – Gramsh. Në aksin Elbasan – Librazhd, në vendin e quajtur Xibrakë, janë larguar inertet dhe qarkullimi i mjeteve bëhet normalisht në të dy drejtimet. Në hyrje të qytetit të Peqinit nga aksi Rrogozhinë – Peqin është dëmtuar ura e varur që lidh Peqinin me fshatin Budlis, Njësia Administrative Pajovë, Bashkia Peqin. Prurjet e lumit Shkumbin kanë rënë dhe ujrat janë tërhequr në shtratin e tyre. Në gjithë zonat anës lumit Shkumbin, nga Elbasani deri në Rrogozhinë, nuk ka prezencë uji.
Në qarkun e Lezhës situata është e përmirësuar. Akset rrugore janë të kalueshme plotësisht. Në aksin e vjetër rrugor Lezhë – Zejmen – Pllanë ka prani të ujrave sipërfaqësore. Gjithashtu edhe në disa fshatra si Spiten, Zejmen, Markatomaj dhe Pllane. Ujërat nga qyteti i Lezhës janë tërhequr. Situata në këtë Bashki po shkon drejt normalizimit. Hidrovoret në Tale dhe Ishull Shëngjin punojnë me kapacitet të plotë.
Në rrethin e Mirditës mbetet problem ura e Cekajve që lidh Rrëshenin me zonën e Kaçinarit, e cila është e pakalueshme sepse ende ka rreth 1 metër uji mbi nivelin e saj.
Në qarkun e Beratit niveli i lumenjve është në rënie. Segmenti Rabjak –Karkanjoz është bllokuar dhe po punohet me mjete për hapjen e tij.
Në qarkun Dibër, në Fushë Bulqizë ujërat në toka bujqësore po largohen. Aksi rrugor nacional Lurë – Kurbnesh – Rëshen është dëmtuar në vendin e quajtur “Përroi  i Gjeologjisë”, ku po punohet me fadroma dhe situata është drejt përmirësimit.
Në Bashkinë Klos, Njësia Administrative Xibër, janë dëmtuara dy ura në fshatin Xibër Hane dhe një urë në Xibër Murrizë. Akset rrugore kombëtare janë të kalueshme dhe po monitorohen nga shtabi i Emergjencave të Prefekturës, Bashkive dhe Policia rrugore.
Në qarkun e Korçës reshjet e shiut kanë dëmtuar një pjesë të rrugës në Njësinë Administrative Dardhas në Bashkinë e Pogradecit. Për momentin qarkullimi në këtë aks është i bllokuar.
Në qarkun e Shkodrës, në aksin rrugor Fierz – Fushë Arrëz në fshatin Mishka, janë larguar inertet nga segmenti rrugor dhe është rivendosur qarkullimi i mjeteve. Edhe aksi rrugor Pukë-Iballë është i kalueshëm me dy sense për shkak të largimit të inerteve. Aksi rrugor Qafë Thore – Bogë – Theth ende vazhdon të jetë i pakalueshëm, kurse në aksin Qafë Mali – Fierzë po punohet për normalizimin e situatës.