KRYEFAQJA » LAJME » MPJ: Deklaratat e MPJ të Greqisë për Himarën anakronike dhe të papranueshme
Lirohen shoferët shqiptarë të ndaluar për abetare dhe libra shqip

MPJ: Deklaratat e MPJ të Greqisë për Himarën anakronike dhe të papranueshme

Ministria e Jashtme Greke kërkoi pak ditë më parë nga autoritetet shqiptare rishikimin e një vendimi i cili parashikonte shembjen e 19 banesave në qytetin e Himarës, për ti hapur rrugë ndërtimit të një projekti urbanistik. “Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe të minoritetit është pjesë e 5 kritereve për hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian” paralajmëronte në deklaratën e saj ministria e jshtme greke.
Por në lidhje me këtë deklaratë të hënën në mbrëmje, reagoi Ministria e Jashtme Shqiptare. “Është rasti të themi se habia pason habinë, kur bëhet fjalë për qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke. Tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave, nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme, përveçse si një mesazh i destinuar për konsum të brendshëm” vlerësohet në deklaratën e MPJ të Shqipërisë.
Më tej në njoftimin e shpërndarë për mediat thuhet se “Deklaratat e përsëritura të Ministrisë së Punëve të Jashtme greke dhe gjuha anakronike për Himarën, janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës, parime të cilat orientojnë veprimtarinë e institucioneve të shtetit shqiptar”.
Bazuar në sa më sipër e në pajtim me praktikat diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se ka thirrur për sqarime Ambasadoren e Greqise në Tiranë dhe i ka shprehur qëndrimin e mësipërm.