KRYEFAQJA » LAJME » MSA, Shqipëria përshëndet Kosovën
MSA, Shqipëria përshëndet Kosovën

MSA, Shqipëria përshëndet Kosovën

Nënshkrimi i MSA së mes Kosovës dhe BE, është përshëndetur menjëherë nga autoritetet më të larta shqiptare. Kryeministri Edi Rama i cili gjendet për një vizitë në Hong Kong, shkruan në profilin e tij në Fejsbuk: “Zhvillim historik per Kosoven nenshkrimi i Marreveshjes se Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian”. Edhe ministri i jashtëm, Ditmir Bushati nëpërmjet profilit të tij në FB shkruan se nënshkrimi i MSA-së midis Kosovës dhe BE-së plotëson rrjetin e Marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit të BE-së me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ankoron më tej Kosovën në rrjedhat europiane. Për kryetarin e PD, Lulzim Basha “Kosova hodhi sot nje hap historik ne drejtim te anetaresimit te saj ne Bashkimin Europian. Nenshkrimi i MSA eshte nje arritje madhore e shtetit dhe qytetareve te Kosoves dhe nje investim i sigurte per interesat kombetare te shqiptareve kudo ku jane. Urime Kosove!” shkruan zoti Basha në Fejsbuk.
Presidenti Bujar Nishani ka zgjedhur të urojë presidenten Ahtifete Jahjaga për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ai e cilëson atë një ngjarje historike për Kosovën, që shënjon institucionalizimin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Europian. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një mbështetje dhe shprehje e fuqishme e besimit europian ndaj institucioneve të Kosovës, një gurthemeli për integrimin e përparimin e mëtejshëm të saj në strukturat europiane e euro-atlantike”, u shprehet kreu i shtetit shqiptar.